Takimi i qeverisë në Prevallë, po diskutohet për planprogramin qeverisës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrat e qeverisë janë duke mbajtur takim pune në Prevallë.

Për këtë takim ka folur para pak minutash edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi i cili është shprehur se po punohet në kthimin e marrëveshjes së koalicionit në program qeverisës.

“Sot siç jeni të njoftuar, qeveria e Kosovës, kabineti është mbledhur sipas vendimit në nivel të qeverisë që të vazhdojmë punën. Është një ditë pune që e ka kthyer marrëveshjen e koalicionit në program qeverisës dhe në pjesën e parë të ditës dëgjuam të gjithë ministrat duke folur për procesin e skanimit, do të thotë vlerësimin e gjendjes në të cilën kanë marrë ministritë dhe fuzionimin e ministrive brenda strukturës së re të ministrive”, tha Abazi.

Ai më tutje është shprehur se puna do të vazhdojë në pjesën e dytë të ditës ku do të flasin për prioritetet afatshkurta dhe afatmesme të ministrive.

“Dita do të vazhdojë me karakter punues, në pjesën e dytë të ditës do t’i dëgjojmë ministrat përsëri për prioritetet afatshkurta dhe afatmesme. Përveç se ministrat të tregojnë për prioritetet, gjithashtu të shikojmë ku janë pikat e bashkërendimit që do të ndodhin brenda dy ministrive ose më shumë dhe menjëherë të fillohet koordinimi”, tha Abazi për lajmi.net.

Më tutje, i pyetur për reciprocitetin, Abazi tha se nuk ka asgjë tjetër në diskutim sot përveç kthimit të marrëveshjes së koalicionit në plan qeverisës.