TAKIMI

Takimi i Hotit me Macron nis pas pak

Kryeministri Avdullah Hoti, mbrëmë ka udhëtuar drejt Parisit për takimin që sot do të ketë me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Takimi Hoti-Macron do të fillojë në orën 11:30 në pallatin presidencial të Elizesë. Një gjë të tillë për Gazetën Express e ka konfirmuar, Xhavit Beqiri, nga kryeministria.

“Kryeministri Hoti bashkë me presidentin Macron do të nisin takimin në ora 11: 30. Pas këtij takimi, zyra e Kryeministrit do të tregojë se për çfarë është diskutuar”, ka thënë ai.

Ky takim mes Hotit dhe Macronit në kryeqytetin francez, i paraprinë Samitit virtual të Parisit, në të cilin do të marrë pjesë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, e që do të mbahet më 10 korrik.

Ndërkohë pas kësaj videoconference me Merkel dhe Macron, Hoti do të udhëtojë drejt Brukselit më 12 korrik për të marrë pjesë në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili do të ndërmjetësohet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borell.

“Në takim do të rinisin diskutimet për të punuar në arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjore e obligative për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u marrë me të gjitha çështjet e pazgjidhura”, thuhet në njoftimin e Brukselit.

Kjo iniciativë e ngjeshur e Brukselit vjen pas dështimit të takimit të takimit të Washingtonit i cili ishte iniciuar nga emisari i Trump, Richard Grenell.

Tashmë nga Washingtoni pritet të caktohet një datë e re e takimeve, derisa në Kosovë me gjasë do të ketë një rikompozim institucional, pasi që presidenti i vendit nuk do të mund të udhëtojë drejt SHBA’së, pas bërjes publike të propozim-aktakuzës së Speciales.