Takimi i Grupit Punues për Vizat| Deputetët tregojnë pritjet dhe vendimet që mund të merren

Sot në Bruksel do të mbahet takimi i Grupit Punues për Vizat.

Kjo trupë e Këshillit të Bashkimit Evropian pritet ta diskutojë heqjen e regjimit të vizave për Kosovën.

Kryetarja e Komisionit për Integrim në Kuvend, Rrezarta Kraasniqi thotë se nëse merret për bazë deklarata e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ky proces duhet të përfundojë deri në fund të vitit.

“Në këtë kontekst, pritjet tona janë optimiste për takimin e radhës së Këshillit të Bashkim Evropian”, theksoi ajo për “Front Online”.

Ajo shprehi kritika për ekzekutivin karshi këtij procesi.

“Megjithatë Qeveria e Kosovës duhet të jetë më transparente dhe më shumë bashëpunuese duke punuar ngushtë më shtete që janë skeptike për këtë proces të stërzgjatur padrejtësisht”, u shpreh Krasniqi për “Front Online”.

Optimist për heqjen e vizave është edhe deputeti Agon Batusha, anëtar tjetër i këtij komisioni.

“Qëndrojmë besimplotë që është momenti që BE-ja të bëjë përpara hapa, të tejkaloj këtë ngerç dhe të heqë këtë padrejtësi të pajustifikueshme ndaj Kosovës”.

“Kemi plotësuar të gjitha kushtet teknike, madje dy herë më shumë se cilido shtet fqinj, por kemi mbet i vetmi shtet që nuk kemi lehtësim të regjimit te vizave me BE-në në gjithe kontinentin e Evropës, madje edhe më gjerë”, vazhdoi tutje Batusha.

Qarkullojnë lajme se disa shtetet anëtare duan ta ndërlidhin liberalizimin me hyrjen në fuqi të sistemit informativ ETIAS që mëtohet të nis në nëntor të 2023-ës.

Komisioni Evropian nisi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012. Në qershor 2012, Komisioni i paraqiti Kosovës një Udhërrëfyes për Liberalizimin e Vizave, i cili identifikoi legjislacionin dhe masat institucionale që Kosova duhej të miratonte dhe të zbatonte për të avancuar drejt liberalizimit të vizave.

Udhërrëfyesi përcakton një listë gjithëpërfshirëse të reformave, duke përfshirë ri-integrimin dhe ripranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe të migracionit, azilin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.