Biden-Scholz

Takimi Biden-Scholz, për çka diskutuan?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden tha se Kongresi do të ishte përgjegjës nëse do të dështonte të miratonte paketën financiare në ndihmë të Ukrainës dhe falënderoi të premten kancelarin gjerman Olaf Scholz për udhëheqjen e tij për të siguruar ndihmën ushtarake të Gjermanisë për Kievin.

Zoti Scholz, i cili po qëndron në Uashington për të mbështetur përpjekjet e Presidentit Biden për të siguruar fondet për Kievin, u takua me Presidentin në Shtëpinë e Bardhë, për të diskutuar mbi agresionin rus ndaj Ukrainës si dhe krizën në Lindjen e Mesme.

Zoti Scholz tha se ishte i kënaqur që Evropa kishte marrë vendimin për të ofruar mbështetjen financiare për Ukrainën. “Po ashtu, Gjermania ishte e gatshme të rriste mbështetjen e saj për furnizimin me armatime. Shpresoj se Kongresi, Dhoma e Përfaqësuesve do t’u përkahë dhe do të vendos për ofrimin e mbështetjes së nevojshme”, shtoi ai.

Senati amerikan ra dakort të enjten të propozojë një paketë të re ndihmash prej 95 miliardë dollarësh.

Propozimi përmban 60 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën dhe 14 miliardë dollarë ndihma për Izraelin.

Zoti Scholz tha për gazetarët se Presidenti Putin “kishte treguar me detaje një histori plotësisht absurde për origjinën e luftës së tij”, gjatë intervistës me ish-prezantuesin e kanalit Fox News, Tucker Carlson, e cila u bë publike të enjten.

“Ka një arsye të qartë, dhe ajo është dëshira e Presidentit të Rusisë për të aneksuar pjesë të Ukrainës”, tha ai.

I pyetur rreth sugjerimit të zotit Putin për shkëmbimin e të burgosurve, gazetarit të ‘Wall Street Journal’, Evan Gershkovich i cili mbahet në burg në Rusi prej afro një viti, me Vadim Krasikov, të cilin një gjykatë gjermane e shpalli fajtor për vrasjen e një ish udhëheqësi kryengritës çeçen në Berlin, zoti Scholz tha se këtë çështje nuk duhet të diskutoheshin publikisht.

Javën e kaluar,Bashkimi Evropian miratoi një paketë ndihme 4-vjeçare me vlerë 50 miliardë euro për Ukrainën

Ukraina, e cila synon të anëtarësohet në NATO, mbështetet tek vendet perëndimore për ndihmën ushtarake dhe financiare.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha të enjten se Presidenti Biden dhe kancelari Scholz gjithashtu ka të ngjarë të diskutojnë situatën në Gazë dhe kërcënimet nga rebelët Houthi ndaj anijeve ndërkombëtare në Detin e Kuq./VOA

VIDEO BONUS: Adresimi i plotë, i përkthyer në shqip, i Albin Kurtit në mbledhjen mbrëmshme të KS së OKB-së