Tajvani mund të japë ligjërata për përgatitjet për më të keqen

Nga: Lanhee J. Chen / CNN

Sipas Washington Post-it, dokumentet e Pentagonit që u zbuluan në platformën e mesazheve Discord, kohët e fundit zbuluan se zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë dyshime për aftësitë e Tajvanit për ta zmbrapsur një sulm ajror nga ushtria kineze dhe, për më tepër, se vetë ShBA-ja mund të jetë e kufizuar në aftësinë e veta për ta zbuluar një sulm të ardhshëm në Tajvan.

Këto raporte i shtojnë shqetësimet në rajon, sidomos pasi Kina e nisi një seri stërvitjesh ushtarake – në ajër dhe në ujërat pranë Tajvanit – në vazhdën e takimit të fundit në Kaliforni të kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy, me presidenten e Tajvanit – Tsai Ing-Wen.

Vitet e fundit, Tajvani ka marrë një vëmendje të shtuar në ShBA, sidomos duke pasur parasysh tensionet e shtuara në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Pekinit. Mbështetja e fortë dypartiake për Tajvanin – në dy administratat e fundit presidenciale – si dhe në Kapitol Hill, vetëm se e kanë shtuar ndjenjën se Amerika po interesohet më shumë për rolin kryesor që Tajvani e luan në rajonin Indo-Paqësor.

Gjithashtu, ka përpjekje të shtuar në Tajvan për ta kuptuar natyrën e angazhimit të Amerikës dhe shkallën në të cilën mund të shtrihet mbështetja ushtarake dhe jo vetëm – veçanërisht nëse në të ardhmen Kina zgjedh të bëhet më armiqësore ndaj Tajvanit.

E vizitova Tajvanin në fund të marsit, si pjesë e një delegacioni amerikan që u takua me udhëheqës të lartë tajvanezë – në qeveri dhe në shoqërinë civile – duke përfshirë presidenten Tsai. Vizita zbuloi se teksa shumica e banorëve të Tajvanit jetën e kalojnë si rëndom, udhëheqësit e ishullit janë thellësisht të fokusuar në përgatitjet për një sulm nga Republika Popullore e Kinës dhe ata e kuptojnë mirë rolin që do të ketë luaj politika elektorale – si në Tajvan ashtu edhe në SHBA – në atë që vjen më pas.

Përqendrimi i tillë jo vetëm që është i duhur, por edhe i zgjuar, duke pasur parasysh kërcënimin e diskutueshëm e të shtuar me të cilin po përballet Tajvani nga Kina.

Tajvani është vetëm rreth 100 milje në lindje të Kinës kontinentale, kështu që ndoshta nuk është për t’u habitur pse frika e një sulmi ushtarak kinez është brenga kryesore për udhëheqjen në Taipei. Administrata aktuale është sidomos e përqendruar në këtë çështje, për shkak të ankesave – në nivele të larta të qeverisë tajvaneze dhe asaj amerikane – për mungesën e përgatitjes dhe për moralin e dobët në ushtrinë tajvaneze.

Gjatë vizitës sonë, zyrtarët e lartë i theksuan ndryshimet për ta shtuar gatishmërinë dhe për ta përmirësuar trajnimin ushtarak, si dhe kanë bërë hapa para për ta shtuar kohën e detyrueshme të rekrutimit ushtarak – për shtetasit meshkuj – nga katër muaj në një vit, duke filluar nga viti 2024.

Dëgjuam gjithashtu disa ankesa për ritmin e ngadaltë të dërgesave të pajisjeve ushtarake (të tillat si raketat anti-ajrore Stinger, aeroplanët F-16 dhe raketat kundër anijeve) nga ShBA-ja – një brengë të cilën prej kohësh zyrtarët tajvanezë ua kanë shprehur udhëheqësve amerikanë. Për përshpejtimin e dërgesave, disa anëtarë të Kongresit e kanë shprehur synimin për të bërë presion ndaj administratës Biden, por kufizimet e prodhimit, ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe – në një shkallë më të vogël – kërkesa e bërë për dërgesat e armëve për ta mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, kanë kontribuar në këtë ngadalësim.

Politika presidenciale nuk shmang asnjëherë asnjë bisede për të ardhmen e ishullit vetëqeverisës. Ka pasur kureshtje të konsiderueshme nga zyrtarët tajvanezë se si do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale të 2024-ës në ShBA – diçka që pritet, duke pasur parasysh realitetin se kushdo që e kapton Shtëpinë e Bardhë e luan një rol të rëndësishëm në diktimin e tonit dhe të tendencës së marrëdhënieve dypalëshe midis Uashingtonit dhe Taipeit.

Ish-presidenti Donald Trump lavdërohet në Tajvan për forcimin e lidhjeve mes ShBA-së dhe Tajvanit, për inicimin e vizitave diplomatike të nivelit të lartë midis zyrtarëve të lartë të administratës amerikane dhe të homologëve të tyre tajvanezë, dhe për të arritur deri aty sa ta merrte telefonatën e urimit nga Tsai, pas zgjedhjes së tij në vitin 2016, diçka që atëherë u pa si shkelje e protokollit diplomatik.

Sidoqoftë, disa zyrtarë të lartë tajvanezë shprehën mosbesim kur u thashë se Trumpi në fakt mund jetë kandidat republikan për president, pa marrë parasysh problemet e tij të fundit ligjore.

Presidenti Joe Biden shihet gjithashtu në aspektin pozitiv në Tajvan, sidomos për shkak të premtimeve se ShBA-ja do ta mbrojë Tajvanin – nëse sulmohet nga Kina. Komentet e tij dukej se shfaqnin një ndryshim në politikën ekzistuese të ShBA-së ndaj Tajvanit, për këtë çështje, e cila është përmbledhur me termin “paqartësi strategjike” – domethënë një paqartësi e qëllimshme në lidhje me çështjet nëse dhe në çfarë shkalle ShBA-ja do të ndërhynte nëse Kina do të përfshihej në agresionin ushtarak kundër Tajvanit. Por, zyrtarë të lartë të administratës vazhdimisht kanë theksuar se, pavarësisht deklaratave të Bidenit, politika e ShBA-së ndaj Tajvanit nuk ka ndryshuar.

Teksa zyrtarët tajvanezë ishin shumë më të kujdesshëm në vlerësimet e veta për Bidenin, jashtë qeverisë takuam një numër të qytetarëve tajvanezë të cilët shprehën shqetësime për moshën e tij dhe që ishin të hutuar për mungesën e dukshme të konkurrencës për nominimet presidenciale të Partisë Demokratike për vitin 2024.

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Tajvanit do të zhvillohen në janar të vitit 2024 dhe tashmë të dy partitë kryesore politike (Partia Demokratike Progresive në pushtet ose DPP, si dhe Partia Nacionaliste ose Kuomingtang) po pozicionohen për fushatën e ardhshme. Derisa ka dallime mes partive për çështjet ekonomike dhe sociale, ndarja kryesore mes tyre është mënyra se si Tajvani do t’i qaset Kinës dhe çështjeve më të gjera gjeopolitike që po zhvillohen në rajon.

Kuomingtangu, që ka premtuar një afrim me Pekinin, në mënyrë të suksesshme po pohon se vota për DPP-në është votë për konflikt (dhe ndoshta edhe luftë) me Kinën. DPP, nga ana tjetër, pretendon se vetëm udhëheqësit e saj do të vazhdojnë ta shtojnë afërsinë mes ShBA-në, aleatëve të tjerë rajonalë dhe Tajvanit. Debati do të intensifikohet vetëm pasi të dy partitë i zgjedhin kandidatët e vet dhe kur fushata elektorale do të fillojë me shpejtësi në muajt e ardhshëm.

Zyrtarët tajvanezë duhet të merren me realitetin se me secilën ditë që po kalon, sulmi nga Kina mund të jetë më afër. Fokusi i tyre në gatishmërinë ushtarake, por edhe në politikë – si në vend ashtu edhe në ShBA – është pasqyrim i këtij shqetësimi.

Por, derisa udhëheqësit e Tajvanit i kanë sytë e kthyer drejt kërcënimit të pezulluar, ajo që ishte e qartë gjatë vizitës sonë ishte se kërcënimi nga Kina nuk ishte në mendjen e shumicës së qytetarëve të zakonshëm tajvanez. Në vend të kësaj, ata ishin të fokusuar në jetën që bëjnë, duke besuar se përfaqësuesit e tyre të zgjedhur po bëjnë gjithçka që munden për t’i mbrojtur nga ajo që mund të vijë./Telegrafi