Anëtari i LDK-së

Tahiri thotë se LDK nuk e përjashton koalicionin me Vetëvendosjen nëse shkohet në zgjedhje

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka folur për zhvillimet politike në vend.

Tahiri në “Debat Plus” ka thënë se 100 ditët e Qeverisë Kurti mund të konsiderohen të suksesshme.

Ai megjithatë thotë se Kurti e ka kuptuar që LDK-në nuk mund ta nënshtrosh dhe poshtosh duke i mbajtur në koalicion.

“Në 30 vite ka pasur personalitete e lëvizje për ta nënshtruar LDK-në por askush nuk ia ka arritur ta bëjë një gjë të tillë”, tha ai.

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së thotë se ka qenë ithtarë i koalicionit LDK-LVV dhe sipas tij pikërisht LDK-ja ishte ajo që zgjati dorën e shpresës për ndërtimin e një koalicioni.

“Më vjen keq që ky koalicion ka dështuar. Koha do të tregojë fajtorët. Sot janë gjakrat e nxehur për të nxjerrë fajtorin”.

Tahiri thotë se koalicioni me Vetëvendosjen ishte parashikuar të zgjatë më shumë se një mandat.

“As tash nuk e përjashtojmë mundësinë e një koalicioni pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare kurdo që ato të mbahen. Këto janë subjektet politike në Kosovë”, tha ndër të tjera Xhafer Tahiri.