Tahiri: Qeveria të mobilizohet sa më shpejtë kundër fenomenit të dhunës seksuale

Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka thënë se qeveria duhet të mobilizohet sa më shpejtë sa i përket shqyrtimit të fenomeneve të rrahjes, bullizmit, abuzimet seksuale dhe psikologjike.

Ai përmes një shkrimi të tij tha se raste si këto duhet të trajtohen urgjent.

“Raste si këto, nuk mund të trajtohen, veçmas nga ambienti i përgjithshëm social, reagimet në raste, nuk prodhojnë zgjidhje për sfidat që na presin si shoqëri. Shtimi i fenomeneve dhe rasteve devijante e të rrezikshme, janë prezente, e me tendencë të përhapjes. Rrahjet, bullizmi, narkotikët, dhuna, abuzimet psikologjike dhe seksuale, po rrezikojnë të kthehen në fenomen. Andaj, kjo nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve, por e shoqërisë në përgjithësi”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Postimi i plotë:

Trekëndëshi, shkollë (institucione) – nxënës – prind, është dobësuar, duke sjellë probleme zinxhirore për secilin prej këtyre palëve. Mungesa e fokusit në problemet sociale (shoqërore), po na shpërfaq dukuri të pazakonta e të rrezikshme për shoqërinë.
Raste si këto, nuk mund të trajtohen, veçmas nga ambienti i përgjithshëm social, reagimet në raste, nuk prodhojnë zgjidhje për sfidat që na presin si shoqëri. Shtimi i fenomeneve dhe rasteve devijante e të rrezikshme, janë prezente, e me tendencë të përhapjes. Rrahjet, bullizmi, narkotikët, dhuna, abuzimet psikologjike dhe seksuale, po rrezikojnë të kthehen në fenomen. Andaj, kjo nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve, por e shoqërisë në përgjithësi.
Andaj, mobilizimi i qeverisë, akterëve publikë e institutucionalë, duhet të jetë urgjent e sistematik në adresimin e këtyre sfidave. Debati e fokusi, përtej konfrontimeve e diskursit të egër, duhet vendosur në problemet reale. MASHT VEPRO!