Tahiri: Pranimi i donacioneve nga Serbia është gabim i rëndë

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se pranimi i donacioneve nga Serbia është veprimi më i dëmshëm që e ka marrë Qeveria në detyrë.

Tahiri përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se Kosova ka aprovuar buxhetin prej 2.3 miliardë euro, dhe nuk ka nevojë të pranoj donacione nga Serbia.

Ai thekson se pranimi i këtyre donacioneve krijon perceptimin e bashkësisë ndërkombëtare se Serbia ka ndryshuar në raport me Kosovës.

“Gabim i rëndë! Pranimi i donacioneve nga Serbia është veprimi më i dëmshëm që ka ndërmarrë kjo qeveri e shkarkuar. Kosova ka të aprovuar buxhetin prej 2.3 miliardë eurosh dhe nuk ka asnjë nevojë, që përmes pranimit të donacioneve nga Serbia, të krijojë perceptimin tek bashkësia ndërkombëtare se kinse Serbia ka ndryshuar në raport me Kosovën”, shkruan Tahiri.

Ai shkruan se kjo qasje është e gabuar dhe se Qeveria do të duhej të përqendrohej në vendosjen e masave te reciprocitetit.

“Qeveria e shkarkuar në vend se të përqendrohet në vendosjen e masave të reciprocitetit, ashtu siç kishte paralajmëruar ajo merr vendime që janë në disfavor të plotë të shtetit tonë. Kjo qasje është gabuar në veçanti kur dihet se Serbia pareshtur po sulmon sovranitetin dhe integritetin e Kosovës”, shkruan Tahiri.