Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri është deklaruar i lumtur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese , e cila ka pezulluar vendimin për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

“Si deputet iniciues, jam shumë i lumtur që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë çështjes së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës lidhur me këtë shkarkim të paligjshëm, duke prishur kalkulimin e këtij pushteti që s’pyet për parime dhe ligjshmëri”, ka shkruar Tahiri.

Tutje ai tha se kjo është një fitore e të drejtës mbi padrejtësinë, e meritës mbi arrogancën.

“Fitore e demokracisë si vlerë mbi keqpërdorimin në emër të saj.Institucioni i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, është aty për të mbrojtur nëpunësit civil dhe të drejtat e tyre. Ai, siç çdo institucion tjetër i pavarur e kushtetues, nuk mund dhe s’do të lejojmë të shndërrohet në mjet të pushtetit për shantazh ndaj nëpunësve publik në Republikën e Kosovës”,shtoi ai.

Poashtu ai tha se Partia Demokratike e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë e palëkundur në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe ligjit.