Tahiri: Pandemia na e pamundësoi të jemi në Jerusalem në hapjen e Ambasadës

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Besnik Tahiri, ka thënë se për shkaqe të pandemisë nuk kanë mundur të jenë në Jerusalem në përurimin e Ambasadës së Kosovës në Izrael.

Ai ka thënë se ishte paraparë vizita e ish-ministres Meliza Haradinaj-Stublla më 15 mars në Jerusalem, por ajo dha dorëheqje nga posti dhe nga AAK-ja, për shkak të pretendimeve që u ngritën për manipulim me vota.

“Njohja ndaj Izraelit ka qenë ndër njohjet më të rëndësishme që kanë ardhur përgjatë gjitha njohjeve. Nuk ka qenë proces i lehtë dhe si i tillë ka forcuar lidhjen tonë me Izraelin dhe subjektivitetin e shtetit tonë në rrafshin ndërkombëtar. Më 4 shtator ishte nënshkruar Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë. Qeveria e Kosovës është zotuar që të veprojë komfor Marrëveshjes. Gjatë kësaj kohe kemi punuar shumë që më 1 shkurt të nënshkruhet në një ceremoni solemne marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Më 10 shkurt është njoftuar zyrtarisht përmes një note verbale, MPJ-ja e Izraelit për lokacionin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Po në shkurt kemi emëruar të ngarkuarën me punë znj. Ines Demiri. Më datën 15 mars ishte paparaparë edhe vizita e ish-ministres Haradinaj-Stublla, për inaugurim, e cila për arsyet që dihen nuk mund të jetë atje. Për shkak të pandemisë ne vet nuk kemi mundur të jemi atje”, ka thënë Tahiri në konferencë për media. Kam autorizuar znj. Demiri të vazhdojë me planin e paraparë. Që sot zyrtarisht të hapet Ambasada në Jerusalem e të vazhdon angazhimin e saj diplomatik në forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve e po ashtu në përfaqësimin e shtetit tonë”.

Tahiri ka shtuar se nuk beson që me ardhjen e Qeverisë Kurti do të ndryshohet vendimi për Ambasadën e Kosovës në Jerusalem.