koordinatori

Tahiri: Pa një administratë efikase dhe funksionale, përmbushja e standardeve është e pamundur

Koordinatori nacional për reforma shtetërore, Besnik Tahiri ka marrë pjesë në Ceremoninë e Certifikimit të grupit të gjashtë dhe shtatë 2017/2018 – Programi i Lidershipit Transformues (PPDL), i ofruar nga Universiteti Amerikan në Kosovë (RIT Kosova/TDI-AUK) për shërbyesit publik në prezencën e drejtuesve të këtij institucioni, donatorëve nga USAID dhe zyrtarëve nga niveli qendror dhe lokal

Tahiri në një postim në Facebook ka shkruar rreth reformave në administratën publike në përgjithësi.

Pa një administratë efikase dhe funksionale, rrugëtimi drejt përmbushjes së standardeve është i pa mundur, ka shkruar ndër tjerash, Tahiri, raporton Ballkani.info.

Ky është postimi i plotë:

Në Ceremoninë e Certifikimit të grupit të gjashtë dhe shtatë 2017/2018 – Programi i Lidershipit Transformues (PPDL), i ofruar nga Universiteti Amerikan në Kosovë (RIT Kosova/TDI-AUK) për shërbyesit publik në prezencën e drejtuesve të këtij institucioni, donatorëve nga USAID dhe zyrtarëve nga niveli qendror dhe lokal pata kënaqësinë të uroj të certifikuarit nga ky program.
Programet sikur PPDL, janë komplementare me procesin e reformave që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në fushën administratës publike. Si i tillë procesi përtej rregullativës ligjore, kërkon hapa në ngritjen e kapaciteteve të shërbyesve publik dhe përmirësimin e shërbimeve.
Një vlerësim i nevojave për kapacitetet shtesë të shërbyesve publik, duhet ndjekur me kurrikula dhe programe specifike që rrisin shkathtësitë dhe përmirësojnë proceset. Ndërkaq, ofrimi i shërbimeve të integruara nëpërmjet digjitalizimit dhe e-qeverisjes janë hapat përpara.
Përtej kësaj, zbatimi efikas i legjislacionit dhe planifikimi strategjik janë elemente kyçe për zhvillim të qëndrueshëm. Administrata publike, duhet kthyer në gjenerator të zhvillimit dhe promotor të reformave në proceset integruese.
Pa një administratë efikase dhe funksionale, rrugëtimi drejt përmbushjes së standardeve është i pa mundur. E këtu, këtu kërkohet edhe një qasje e re, një lidership transformues që ofron mbështetje dhe vizon për administratën.