Ish-kryenegociatorja e Kosovës për dialogun teknik me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës e cila të hënën mbylli gjashtë filiale të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në pjesën veriore të vendit të banuara me shumicë serbe.
Sipas saj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po hyjnë në historinë e vendit si kryeministri i valutës shtetërore serbe, Dinarit.
“Kryeministri i dinarit – në vend të ishte kryeministër i lekut për të cilin premtoi dhe mori shumicën e votave- po hynë në histori për dinar”, ka shkruar ajo në platformën sociale, Facebook.
Për aksionin në fjalë të Policisë së Kosovës, të martën, ka reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit duke vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” mund t’i “përshkallëzojnë tensionet” ekzistuese.
DASH-i i bëri thirrje Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE). E veprimi i fundit i autoriteteve kosovare, në bazë të deklaratës së DASH-it, minon perceptimet amerikane për angazhimin mirëbesues të Kosovës në procesin e dialogut.
“Ai minon perceptimin se Kosova vepron me mirëbesim për zgjidhjen e çështjeve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’u përgjigjet nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj – duke përfshirë ato të pakicës serbe – e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”, theksoi DASH-i.
Policia e Kosovës në një komunikatë mbi aksionin e zhvilluar të hënën në Veri të vendit, ku u mbyllën gjashtë njësi të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë, njoftoi se është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e parave, përkatësisht rreth 1 milion e 600 mijë euro dhe 74 milionë e 700 mijë dinarë në funksion të “vendosjes së rendit dhe ligjshmërisë” në këtë zonë.
Në shkurt hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e vendit.







