Tahiri

Tahiri: Ndërmjetësuesit, hapi i parë i “Drejtësisë 2020”

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka shprehur përkushtimin e tij për të vazhduar me reforma deri në bërjen e sistemit të drejtësisë të besueshëm për qytetarët. Sipas Tahirit, për të arritur këtë, pos me planin e përbashkët me KGJK e KPK, “Drejtësia 2020”, është punuar edhe me Ligjin për Ndërmjetësues.

“Ndër çështjet e para për të cilat Drejtësia 2020 do të angazhohet është përfundimi i rasteve të shumta gjyqësore që për vite të tëra mbajnë peng realizimin e drejtësisë për qytetarët tanë. Në funksion të kësaj, krahas masave tjera të rritjes së përgjegjësisë së menaxhimit të kalendarit të shqyrtimeve gjyqësore, po punojmë edhe në metodat alternative të zgjidhjes së kontesteve. Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Ndërmjetësimin, në ditët në vijim do t’i rrisim kapacitetet dhe numrin e ndërmjetësuesve, si ë agjens të rëndësishëm që do të mundësojnë zgjidhje të shpejtë, efikase dhe me kosto të ultë të mosmarrëveshjeve”, ka shkruar Tahiri.

Sipas të parit të Drejtësisë, barazia, neutraliteti, pavarësia, llogaridhënia dhe efikasiteti janë segmentet e fytyrës së re të sistemit të drejtësisë.

“Me ligjin e ri, kemi plotësuar direktivën e Bashkimit Evropian duke bërë ndërmjetësimin një masë obligative për disa lloje të çështjeve për të cilat qytetarët rëndom kanë pritur me vite në procese gjyqësore. Ndërmjetësuesit do të jenë pjesë integrale e sistemit të drejtësisë dhe do të shërbejnë si shtyllë e rëndësishme në përkushtimin tonë për një drejtësi të shpejtë, përmbajtjesore dhe në të cilën do të kenë besim qytetarët tanë. Barazia, neutraliteti, pavarësia, llogaridhënia dhe efikasiteti janë segmentet e fytyrës së re të sistemit që duam dhe për të cilin do të angazhohemi vazhdimisht”, ka përfunduar Tahiri.