Tahiri: Luftën e bëri UÇK-ja, ushtria që bëmë ne s’arriti ta mbajë veten

Ish-ministrja e jashtme e Qeverisë në ekzil të Kosovës më 1999, Edita Tahiri, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se LDK krijoi strukturë mbrojtëse që kishte ekuivalentin e një ushtrie gjatë viteve 90-ta. Ajo thotë se UÇK-ja ishte ajo që bëri luftën e armatosur, por shton se duhet të njihet edhe roli i LDK-së për krijimin e strukturave shtetërore.

Ajo thotë se ishte ndër themelueset e ushtrisë mbrojtëse në Prizren.

“Ministër i mbrojtjes ishte Anton Kola. E kemi organizuar strukturën e ushtrisë por e kemi quajtur strukturë e vetëmbrojtjes. Vet jam njëra ndër themeluesit e kësaj ushtria vetëmbrojtëse në Prizren. Bashkë me Haxhi Feratin që ka qenë anëtar i Shtabit Ushtarak i Ushtrisë së Kosovës. Por ishte quajtur ndryshe strukturë e vetëmbrojtjes. Kur ra në burg Haxhiu dhe Hajzer Hajzeri, kam prutr edhe unë të arrestohem. Por ai ishte njeri i fjalës. Me harta nuk ka qenë lehtë të organizohet ajo ushtri”, thotë ajo.

Ajo tregon që  strukturat mbrojtëse u krijuan pasi që qytetarët frikësoheshin të lëviznin edhe në lagjet e tyre.

“Unë jam e njohur si politikane udhëheqëse e lëvizjes paqësore që ka njohur vlerat e UCK-së, por kam kërkuar që ata të njohin vlerat e lëvizjes paqësore. Ishte koha kur qytetarët frikësoheshin dhe kishin nevojë për mbrojtje së paku në shtëpitë e tyre dhe lagjet. Kishim krijuar fonde për ushtri. Për arsim nuk kishim marrë nga fondi i 3%-shit. Por duhet të them se luftën e armatosur e ka bërë UÇK-ja. Ushtria që bëmë ne nuk arriti të mbajë veten. Por LDK 10 vjet e bëri shtetin dhe bëri diplomacinë kur e lidhëm aleancën me SHBA-të. Ishte viti 1992 kur Presidenti Bush i shkroi letër Millosheviqit ku i tha se nëse shkakton dhunë në Kosovë, mua dhe Amerikën na keni përballë”, tregoi ajo.