Deputeti i PDK-së

Tahiri: Kurti duhet dhënë sqarime për mossigurimin e vaksinës së Pfizerit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i ka kërkuar sqarime Qeverisë Kurti për mosardhjen e vaksinës anti-COVID të kompanisë Pfizer. Tahiri ka thënë se Qeveria ka dështuar për ta siguruar vaksinë, duke ftuar edhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe presidenten Vjosa Osmanin, për t’u angazhuar në këtë aspekt.

“I bëjmë thirrje kryeparlamentarit ta thërras Kryesinë dhe të diskutojë sepse s’mund të humbim asnjë ditë të vetme më. Qeveria dhe kryeministri e kanë për detyrë të sqarojnë dështimin për mbrojtjen e qytetarit të Kosovës”, ka thënë Tahiri para mediave.

Deputeti i PDK-së ka potencuar se Qeveria ka bërë abuzime dhe keqpërdorime, mirëpo sipas tij, listës i prin ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Për dështimin e nënshkrimit të kësaj kontrate, ajo që ka thënë dje ministri Vitia është e pamjaftueshme. Presidentja të bëjë gjithçka për t’i siguruar vaksinat, nga kush tjetër duhet pritur nëse nuk i siguron Qeveria dhe presidentja”, ka shtuar Tahiri.

Deri më tani në Kosovë kanë mbërritur vetëm 24.000 vaksina anti-COVID të AstraZenecas.