Tahiri: Kurti dhe Vitia të marrin pjesë në seancën e të hënës dhe të japin përgjigjet e tyre për mos sigurimin e vaksinave

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që seanca e radhës të jetë ditën e hënë, ku pikë e parë e rendit të ditës do të jetë sigurimi i vaksinave kundër COVID-19.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se gjendja me COVID-19 është e papranueshme, transmeton Ballkani.Info.

“I bëj thirrje zotëri Kurti dhe ministrit Vitia që të hënën të jenë në seancën e Kuvendit dhe të japin përgjigjet e tyre për mos sigurimin e vaksinave të duhura për qytetarët kundër COVID-19. Nuk po shohim angazhim të Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Tahiri ka theksuar se Kurti dhe Vitia duhet të marrin pjesë në seancën e Kuvendit.

“Bëj thirrje të marrin pjesë në këtë debat dhe të japin sqarimet e duhura, Kurti prej kohës që ka pranuar donacionin e vaksinave që kishte siguruar qeveria e kaluar më nuk e kemi parë”, ka deklaruar ai.