Tahiri: Kjo qeveri e ka zhurmën si tupan e punët s’i ka kërkah


Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka konsideruar se qeveria “Kurti” është duke bërë “zhurmë si tupan, e punët nuk i ka kërkah”. Në një konferencë për media ai kritikoi kryeministrin Albin Kurti për mos prezantimin e programit qeverisës dhe për pjesëmarrjen në fushatën në Shqipëri
.

“Sot janë bërë dy muaj prej kur kanë përfunduar zgjedhjet dhe qeveria ‘Kurti’ është duke qeverisur pa program. Po e shohim që kjo qeveri është e pushtetit dhe jo e shtetit. Po shihet se kjo qeveri e ka zhurmën e madhe e punët kërkah. Zhurmën si tupan e punët kërkah. Po e shohim se po ka kohë të shkojë në fushata në Shqipëri, vendin ta mbyll dhe mos të merret me detyrat prioritare dhe të qeverisë me një program që është transparent dhe i mbikëqyrur nga Kuvendi”, ka thënë Tahiri.

Në ndërkohë nënkryetarja e AAK-së, Teuta Haxhiu ka thënë se problemet në shëndetësi dhe në ekonomi nuk i lejojnë komoditet qeverisë. 

“AAK-ja me vëmendje po i  përcjell zhvillimet e para të qeverisë. Në rrethana ideale ne do të kishim durimin për të mos kritikuar veprimet e tre muajve të parë. Ishte e qartë se cilado forcë politike që do ta formonte qeverinë do të përballej me sfidat e shumta që kërkojnë lidership energjik dhe të vëmendshëm. Shëndetësia dhe ekonomia nuk lejojnë komoditet as për qeverinë e as për opozitën”, ka thënë ajo.


Haxhiu e kritikoi qeverinë “Kurti”, edhe për mbylljen e gastronomisë dhe për vendosjen e orës policore. 

“Ne deri më tani kemi parë veprime populiste dhe shfaqje të nepotizmit, lëndim të raporteve me shtetin tonë amë, veprime që janë kritikuar ashpër edhe nga mediat edhe nga qytetarët. E pamë edhe një vendim të padrejtë e pa asnjë bazë shkencore që u godit gastronomia dhe u vendos ora policore”, deklaroi më tutje Haxhiu.