Tahiri i përgjigjet edhe një herë Vuçiqit pas mbledhjes së Qeverisë

Zëvendëskryeministri i parë Besnik Tahiri iu është përgjigjur edhe njëherë pas mbledhjes së Qeverisë presidentit serb, Aleksandër Vuciq për deklaratën e tij lidhur me njohjen e Kosovës.

Tahiri ka thënë se deklarata e Vuciqit është thjeshtë vazhdimësi e provokimeve që i bën ai në raport me Kosovën.

“Deklarata e Vuciq është thjeshtë një vazhdimësi e provokimeve të tij që i bën në raport me Kosovës, secili njeri që mendon se ai do të thotë se do ta pranojë Kosovën ka një farë doze të naivitetit politik, ne nuk merremi me të, ne merremi me qëndrimin e Kosovës si shtet, ne kemi parimet tona që na udhëheqin, kemi synimet tona strategjike”, thotë ai.

Zëvendëskryeministri shton se kjo deklaratë e presidentit serb i çon dy porosi.

“Kjo deklaratë i çon dy porosi, e para te faktori ndërkombëtar që Vuciq nuk është serioz në dialog sepse do të duket si një politikan i moderuar që po e do paqen dhe porosia e dytë është brenda politikës së vet e që e lidh gjithçka me emrin e tij. Ne në Kosovë kemi mekanizma të fortë të kontrollit, e kjo nuk duhet të na shqetësoj neve. Ai flet ne me na provoku e me thanë që ne jemi kundër dialogut”, ka thënë Tahiri.