Besnik Tahiri

​Tahiri i AAK-së: Shpërndarja eventuale e Kuvendit tregon për marrëveshje LVV-PDK

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se në rast të shpërndarjes së Kuvendit për shkuarje në zgjedhje të parakohshme, atëherë kjo sipas tij tregon se ekziston një marrëveshje paraprake mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka bërë të ditur se AAK do t’i kthejë përgjigje me shkrim PDK-së për të konfirmuar qëndrimin mbi dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, por nuk do të bëjë negociata e as nuk do të pranojë kushtëzime.

Sipas tij, ftesa e Kurtit me opozitën kishte për qëllim “mbytjen e debatit” për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i dërgojë një përgjigje me shkrim, ashtu siç e ka dërguar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, për t’i konfirmuar se zgjedhjet do të ndodhin atëherë kur do të shkarkohet kjo qeveri e dëmshme për Kosovën ose me dorëheqjen e kryeministrit. Ajo që bëri këto javë kryeministri Kurti është kjo: ai në ditën kur është dashur që të diskutohet më së shumti për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, po atë natë e lansoi idenë e shpërndarjes së Parlamentit dhe shkuarjes në zgjedhje me të vetmin qëllim që ta mbytë debatin për anëtarësim. Kjo është një papërgjegjësi e madhe. Ai po atë ditë e bëri një akt të paprecedentë, duke u dorëzuar në pozicionin si kryeministër i Kosovës, duke mos punuar që të reflektojë mbi atë se cilat janë sukseset e kësaj qeverie, mirëpo e përdori darkën e Gardenit për të nisur negociatat e kushteve për dorëzimin e tij. Aleanca i thotë që nuk ka negociata dhe nuk ka kushte as kushtëzime për dorëzimin tënd”, deklaroi ai.

Tahiri ka thënë se në rast të shpërndarjes së Kuvendit, atëherë kjo sipas tij, “do të tregojë për marrëveshjen mes LVV-së dhe PDK-së.”

“Rrugë tjetër nuk ka, shpërndarje nuk ka. Nëse bëjnë shpërndarje dy partitë politike atëherë shihet që ka një marrëveshje të dorëzimit, por në një formë tjetër, ku deputetët, Kuvendi, e marrin fajin për shpërndarje”, shtoi Tahiri.