Tahiri: Hetimi parlamentar ndihmon pastrimin e listave të veteranëve

Hetimin parlamentar të iniciuar nga kryetari Kadri Veseli për verifikimim e listës së veteranëve e mbështet edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Në një përgjigje për lajmi.net, Tahiri ka thënë se është detyrim moral të pastrohet emri dhe t’i kthehet dinjiteti Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe të ndalet abuzimi me paratë e taksapaguesve.

Tahiri ka shpjeguar se sa do të ndikojë hetimi parlamentar në pastrimin e listave të veteranëve të UÇK-së.

“Mendoj se çështja e përfitimit të personave nga statusi i “rrejshëm” i veteranëve të luftës paraqet një ndër abuzimet më të mëdha që janë bërë në Kosovë dhe nëse një gjë e tillë vazhdon të ngarkojë buxhetin e taksapaguesve, atëherë kjo do të ishte një ndër abuzimet më të mëdha sistematike që kanë ndodhur dhe po ndodhin në vendin tonë. E kam thënë edhe më herët se pastrimi i listës së veteranëve nga ata që në mënyrë të padrejtë dhe antiligjore e kanë përfituar një status të tillë, duhet të jetë prioritet i yni si shoqëri dhe si institucione”, tha Ministri Tahiri. “Një gjë është e qartë, abuzime ka pasur dhe institucionet tona e kanë detyrim jo vetëm institucional për të vendosur drejtësinë në këtë rast, por edhe detyrim moral ndaj atyre që vërtetë kanë kontribuar në luftë, për ta bërë një herë e përgjithmonë të qartë se kush ishte veteran sipas përcaktimit që i ka dhënë ligji. Në këtë drejtim, organet e pavarura të zbatimit të ligjit kanë filluar punën e tyre për të hetuar dhe tashmë kemi edhe një procedurë gjyqësore që është duke u zhvilluar e cila do të vendosë para përgjegjësisë përgjegjësit, nëse shkeljet e tilla vërtetohen”, shtoi ai.

Tahiri ka paralajmëruar se pastrimi i listave është proces mjaft kompleks.

“Por pa paragjykuar rrjedhën e rastit në fjalë, në anën tjetër, mendoj se pastrimi i listave është proces më kompleks sesa thjeshtë hetimi penal ndaj abuzimeve të mundshme. Prandaj një ri-lverifikim duhet të ndodhë, dhe duhet të ndodhë sa më parë që është e mundur. Për këtë shkak, Kryetari i Kuvendit, z. Kadri Veseli e ka marrë iniciativën për të themeluar një Komision Hetimor Parlamentar e cila do ta rikthejë edhe një herë debatin e shëndoshë për verifikimin e numrit të veteranëve, duke ballafaquar secilën palë me hierarkinë e luftës së UÇK-së, komandantët e zonave dhe eprorët e tjerë, të cilët medoemos se duhet të kenë një përgjigje mbi numrin e saktë të personave që ishin nën komandën e UÇK-së”, tha ai.

Tahiri po ashtu ka theksuar se është e nevojshme të bëhet verifikimi i veteranëve të UÇK-së nga ana e Kuvendit.

“Kësisoj, mendoj se verifikimi i numrit të veteranëve të UÇK-së nga ana e Kuvendit duhet të ndodhë dhe jam i bindur se një gjë e tillë do ta sqarojë përfundimisht këtë dilemë. Epilogu që unë pres se do të dalë nga ky proces parlamentar, do jetë asgjë më pak sesa identifikimi i qartë i numrit të veteranëve, shkarkimi i buxhetit të taksapaguesve tanë nga barra e kompensimit të atyre që jashtëligjshëm kanë përfituar deri më tani, dhe një restaurim dinjitoz të vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh Ministri Tahiri.