Tahiri: Haradinaj është profili i duhur për president, do t’i çojë shumë procese përpara

Zëvendëskryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës dhe njëherësh kandidat për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i ftuar në emisionin “Debat” të RTK-së,  ku u diskutua strategjia e AAK-së dhe rezultati në zgjedhje, foli për gjendjen e Kosovës pas luftës.

Tahiri tha se Kosova tash u bënë 21 vite pas luftës dhe u bënë 13 vjet nga shpallja e pavarësisë dhe, sipas tij Kosova është në një pozicionim të mirë sepse Kosova ka arritur të marrë njohje nga mbi 100 shtete.

“Në raport me integrimin evropian, anëtarësimin në NATO kemi çaluar. Por ne nuk duhet që SHBA-në ta qesim në pozitë të palakmueshme, por pozitën tonë politike duke ta bëjmë të qartë”, tha Tahiri.

Tutje, ai foli edhe për profilin e Ramush Haradinajt, ku u shpreh se ai gërsheton në vete një personalitet që ka disa sfida, lufta, ballafaqimi në Hagë dhe punën e tij në qeveri.

“Ky profil është i duhuri për president dhe me këto vlera do t’i çojë shumë procese përpara. Ai mund t’i dalë zotë shumë temave si ushtria, taksa, luftimi i drejtpërdrejtë kundër shkëmbimit të territoreve e Trepça, i ka kryer në formën më të guximshme pa bërë dëme me partnerët ndërkombëtarë”, theksoi ai.

“Ne jemi vendi i vetëm pa liberalizim, s’jemi anëtar të OKB-së as NATO-s por kemi ushtri. Ne duhet mbrenda këtyre katër viteve ta fusim Kosovën në NATO. Duke qenë të anëtarësuar, proceset tjera do të jenë më të lehta. Vuciq është zemëruar edhe me taksën edhe tash me deklaratat e Haradinajt”, vazhdoi Tahiri.

Njëherit, ai u shpreh se problem është që Kosova është në një periudhë kohore të gjatë dhe shihet se nuk ka dinamikë serioze, jo vetëm për anëtarësim në NATO por as në BE.

“Oferta e Haradinajt për referendum është e qartë. Partneriteti që e kemi me ushtrinë Amerikane është një temë e rëndësishme. Ajo që e konceptualizon Vuçiq se me Kosovën ka konflikt të ngrirë kjo nuk është e vertetë”, theksoi Tahiri.