Tahiri flet për takimin e 4 shtatorit, tregon cilat marrëveshje do të nënshkruhen

Të premten e 4 shtatorit, në Shtëpinë e Bardhë në Washington do të takohen delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë.

Është thënë se në këtë takim do të diskutohet për tema ekonomike.

E këtë takim e konsideron të rëndësishëm politologu Ramush Tahiri, për faktin që se organizohet dhe ndërmjetësohet nga SHBA, si përkrahësja kryesore e Kosovës.

“Takimi ne Shtëpinë e Bardhë në Washington ndërmjet Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë është i rëndësishëm për faktin se organizohet dhe ndërmjetësohet nga SHBA që janë përkrahësja kryesore në botë e shtetit të Kosovës, e pavarësisë dhe e sovranitetit të saj”, është shprehur ai.

Sa i përket temave, Tahiri thotë se do të nënshkruhen tri marrëveshje ekonomike për ndërlidhjen dhe transportin rrugor, hekurudhor dhe ajror.Image

“Temë e dialogut do të jetë nënshkrimi dhe konkretizimi i tri marrëveshjeve ekonomike për ndërlidhjen dhe transportin rrugor, hekurudhor dhe ajror, me ndihmën dhe donacionet si dhe investimet disa qindra milionë dollarësh. Palët ka kohë që i kanë shqyrtuar dhe studiuar këto marrëveshje që përveç bashkëpunimit do të sjellin zhvillim ekonomik dhe punësim më të madh”, ka deklaruar Ramush Tahiri.

Ai shton se do të shihen mundësitë edhe për një zonë të lirë ekonomike të regjionit të Llapit si dhe të Mitrovicës, që sipas amerikanëve, do të relaksonte marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

“Gjithashtu do të shihen mundësitë e modalitetet për një zonë të lirë ekonomike në drejtim të regjionit të Llapit si dhe të Mitrovicës të modelit shengen që do të tërhiqte format e njohura industriale amerikane të fusin kapitalin dhe të ndërtojnë kapacitete ekonomike këtu. Kjo sipas pikëpamjeve amerikane do të ndihmonte më relaksim të marrëdhënieve Kosovë e Serbi dhe do të nxiste bashkëpunimin edhe në fushat e tjera pra edhe politike e shtetërore”, ka vlerësuar ai.

Tahiri po ashtu thotë se delegacionet gjatë qëndrimit në Washington do të kenë mundësi tu përgjigjen nikoqirëve për vizionin dhe të ardhmen e marrëdhënieve në mes të të dyja vendeve.

“Gjatë ndonjë dreke apo darke pune gjatë ditëve të qëndrimit në Washington, delegacionet e të dyja shteteve do të kenë mundësinë edhe tu përgjigjen pyetjeve të nikoqirëve si dhe të paraqesin vizionin e tyre si e shohin të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë si dhe ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit serb si dhe ndërmjet qytetarëve të gjithë rajonit”, ka përfunduar politologu Ramush Tahiri.