Tahiri, AKR-së: Nuk e keni votën time për rrëzimin e Qeverisë

Deputeti, Labinot Tahiri ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, njëherit edhe nënkryetarit të AKR-së, Fatmir Matoshi se dy votat e kësaj partie e përcaktojnë fatin e Qeverisë.

Tahiri ia ka përsëritur Matoshit se ai më nuk është pjesë e AKR-së, dhe se ai voton kur dëshiron vet.

“Nuk kam pse të dërgoj njoftimin në parti, derisa publikisht e kam thënë se nuk jam më pjesë e strukturave të AKR-së, dhe për këtē është i njoftuar edhe ish sekretari Vesel Makolli. Ju keni vetëm një votë dhe nuk më ke mua deputet të subjektit tuaj. Unë veproj vetë, para se të më bëhen gropat pas shpine tinëzisht. Nuk e determinoni ju Qeverinë Haradinaj pa votën time, besoj e mbani mend se vota ime ka qenë vendimtare në formimin e qeverisë sonë para dy viteve dhe ate e jap unë kur te dua dhe jo ti apo teket e juaja”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka deklaruar se as nuk e njeh Matoshin si nënkryetar të AKR-së.

“Fatmir Matoshi, ju së pari nuk jeni nënkryetar i partisë AKR; se nuk di kush ju paska votuar si i tillë?!”, ka shkruar deputeti Tahiri, në profilin e tij në facebook.

Deputeti Tahiri në fund e ka këshilluar ministrin Matoshi të merret me “punët e tij”.

“Shiko punët tuaja në ministri, se ka zëra që flitet për keqpërdorime dhe puno në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, mbrojtjen e ambientit e mjedisit për çka merr pagë, sepse unë kam mandat nga vota e sovranit dhe vetëm atij i përgjigjem për veprat e mija”, ka përfunduar Tahiri. /Ballkani.info/

Postimi i tij i plotë: