Tahiri: AAK është goditur më së shumti nga vendimet e fundit të KQZ-së

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës dhe njëherësh kandidat për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Besnik Tahiri, është duke zhvilluar një bisedë në emisionin ‘KallxoPernime’.

Gjatë kësaj bisede Tahiri ka komentuar vendimet e fundit nga Këshilli Qëbdror i Zgjedhjeve (KQZ), ku disa prej kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit nuk do të lejohen të jenë kandidatë për shkak të vendimeve gjyqësore të plotfuqishme në 3 vitet e fundit.

Ai tha se AAK-ja është ajo që është goditur më së shumti, ku kandidati për deputet Shemsedin Dreshaj, iu është ndaluar kandidimi për një gjobë 18 euro dhe të cilës i ka kaluar afati. ‘AAK është goditur në mënyrën më të paparaparë. Shemsedin Dreshaj ka një gjobë trafiku prej 18 euro, e cila madje e ka kaluar kohën prej 3 viteve’, tha Tahiri.

‘AAK është dëmtuar, derisa kemi 4 kandidatë që për gjoba s’po mundem me kandidu. AAK është dëmtuar. Ne e kemi dërguar ankimin tonë për Shemsedin Dreshajn dhe 3 të tjerët. Nuk munden me na heq emrat nga listat në këtë formë”, tha tutje Tahiri. Ai ka përmendur edhe rastin e një kandidateje tjetër, e cila është një nga emrat që KGJK ia ka dërguar KQZ për moscertifikim.

‘Është një kolege tjetër që ishte e brengosur. Tha: tanë natën s’kam flejtë se populli po mendon që kam precedent penal. Kjo nuk mundet me ndodhë kështu’, tha më tej Tahiri.