Tahir Shabani, kosovari që po ndërton ura miqësie ndërmjet shqiptarëve dhe francezëve

Në një intervistë me Ballkani.info kryetari i Shoqatës së Miqësisë Franko-Shqiptare, Tahir Shabani, ka folur rreth aktiviteteve të diplomacisë, promovimin e vlerave kulturore e ekonomike të komunitetit shqiptarë në Francë.

Në vazhdim ju sjellim intervistën e plotë:

Ballkani.info: Na flisni për rolin dhe misionin e Shoqatës së Miqësisë Franko-Shqiptare?

Tahir Shabani: Roli dhe misioni i Shoqatës së Miqësisë Franko-Shqiptare në Francë dhe Europë Amitie Franco Albanaise (Shoqata e Miqësisë Franko-Shqiptare) është asociacion joqeveritare e mbrojtur konform ligjit, me seli në Annemasse të Francës. Kjo shoqatë, ushtron aktivitetet mbi çështjet organizative koordinuese dhe drejtuese, gjithashtu mbi çështjet protokolare në shumë konferenca e seminare, duke filluar nga Komisioni Evropian deri te vendet anëtare te Bashkimit Evropian, si dhe organizimin e promovimeve kulturore dhe ekonomike.
Në vazhdim të përpjekjeve të një bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare me seli në Gjenevë, po shndërrohet në një aleat të vyeshëm të diplomacisë shqiptare, dhe në vazhdimësi lobing për Kosovë, me përkrahjen e klubit diplomatik në Gjenevë dhe Francë, si një partner serioz, në favor të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ballkani.info: Si bashkëjetojnë komunitetet në Francë?

Tahir Shabani: Në Francë, ekziston një frymë e mirë sa i përket bashkëjetesës së komuniteteve. Nëse i referohemi komunitetit shqiptar, mund të themi që qëndron shumë mirë në raport me francezët dhe të tjerët. Këtë e dëshmon edhe organizimi i shumë panairëve të librave, organizime kulturore e arsimore. Pastaj, hapja e ekspozitave me artistë individual dhe kolektiv nga Kosova, duke promovuar kulturën dhe traditat shqiptare në Francë.

Ballkani.info: Sa i ka kontribuar proceseve politike të Kosovës, Shoqata e Miqësisë Franko-Shqiptare?

Tahir Shabani: Gjatë kohës së Luftës në Kosovë, i angazhuar në aktivitet humanitar dhe diplomatik. Aktiviteti konsiston në gjetjen e ndihmave, në organizimin e dërgesave humanitare me avion ushtarak në mbështetje të popullsisë së zhvendosur me ndihmën e Francës dhe të Kryqit të Kuq ndërkombëtar, Organizatës Ndërkombëtare të Imigracionit, në mobilizimin e shtypit dhe të diplomatëve të huaj, në mbështetje të çështjes shqiptare. Organizator i takimeve dhe konferencave të shtypit, me përfaqësues politik e ushtarak të shqiptarëve. Bashkëpunimi dhe përkrahje nga parlamenti, Senati dhe Qeveria e Francës. Komunat dhe Asociacioni i komunave në Annecy – Haute Savoie – Francë.
Prioritet bashkëpunimi institucional dhe diplomacia kulturore, publike, ekonomike dhe parlamentare: 26 Qershor 2008, marrëveshje ndërmjet Francës dhe Kosovës në lëmin e punës dhe mirëqenies sociale, e firmosur nga Ministria e Punës dhe Ambasada e Francës në Prishtinë. Kjo është arritur pas një pune të vazhdueshme me qeverinë franceze, pas arritjes së organizimit të vizitës së tyre të delegacionit ndërqeveritar nga data 23 deri më 26 qershor 2008. Marrëveshja konsiston për thellimin e shkëmbimeve në fushën e punës dhe të mbrojtjes sociale, e me qëllim që te përgatiten projekte të kooperimit bilateral dhe multilaterale.
Organizmin e agjendave protokollare për komunat nga Kosova,në kuadër të bashkëpunimit kulturore dhe ekonomik, me komunat e Francës dhe Gjenevës. Takime bilaterale me institucionet nga Kosova mes Bashkimit Evropian; Komiteti i Rajoneve në Bruksel; Komisioni Evropian. Bashkëpunimi me presidentin, Besim Hasani, dhe bordin e Komitetin Olimpik të Kosovës, me prioritetet për përkrahje edhe avancimin e ngritjes së standardeve të Federatave Sportive të Kosovës – drejt integrimit në institucione dhe organizata ndërkombëtare, duke promovuar partneritetin në bazë të standardeve të federatave sportive evropiane dhe botërore.
Gjithashtu, Shoqata e Miqësisë Franko-Shqiptare ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me këto universitete: Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit, Kolegji AAB, Kolegji UBT, Kolegji Universum, Kolegji FAMA, Kolegji ILIRIA.

Ballkani.info: Si e shihni qëndrimin e Francës karshi Kosovës?

Tahir Shabani: Misioni i Shërbimit të Bashkëpunimit dhe Kulturës (CAC) i Ambasadës franceze në Kosovë, është të zbatojë bashkëpunimin franko-dypalësh në fushat kulturore, arsimore, akademike dhe institucionale. Kjo ambasadë, mbështetë zhvillimin e bashkëpunimit midis universiteteve franceze dhe kosovare nëpërmjet marrëveshjeve bilaterale dhe duke u mbështetur në programin evropian ERASMUS. Ambasada e Francës, organizon ngjarje kulturore gjatë gjithë vitit në partneritet me Aleancën Franceze të Prishtinës (Java e Gjuhës dhe Frankofonisë, Java e Filmit Francez etj.). Ambasada, ofron mbështetje financiare për takimet kryesore të axhendës kulturore të Kosovës (Festivali Remusica, Kamerfest, Dokufest, Festivali Muzikor) dhe aktorët kryesorë institucional të botës së kulturës (teatrot, shtëpitë e edicionet…).
Shumë veprime të valorizimit të Frankofonisë, janë propozuar gjatë gjithë vitit (Java e Gjuhës Franceze dhe Frankofoni, mobiliteti i kosovarëve të rinjë, në Francë etj.). Ambasada gjithashtu financon trajnim të përshtatur në frëngjisht, si një specialitet për t’iu mundësuar zyrtarëve nga administrata e Kosovës, të mësojnë frëngjishten. Ambasada e Francës, siguron mbështetje institucionale për administratat e Kosovës, për të mbështetur perspektivën evropiane të vendit, veçanërisht në fushat e drejtësisë, reformës së administratës publike, bujqësisë dhe mjedisit. Grupi i miqësisë Francë-Kosovë, mes dy institucioneve legjislative Republika e Kosovës nga 11 tetor 2018, anëtare e asocuar në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.

Intervistoi: Mihane Hoxha / Ballkani.info