Tadiq polemizon me njeriun e Merkelit: Kurrë nuk kam pranuar asnjë marrëveshje me Thaçin

Ish-presidenti serb, Boris Tadiq, i është përgjigjur Wolfgang Ischingerit, ish-ambasadorit gjerman dhe njërit ndër personaliteteve më me ndikim te kancelarja gjermane, pasi që ky i fundit e kishte mirëpritur takimin mes presidentit Thaçi dhe atij rus Putin.

Në rrjetin social Twitter, Ischinger kishte shkruar se kishte shkuar në Moskë në nëntor 2007 “për të kërkuar mbështetje për një marrëveshje ndërmjet dy presidentëve – për të cilën Thaçi (atëherë kryeministër) dhe Tadiq ishin të gatshëm të pajtoheshin, me mbështetje nga BE-ja dhe SHBA-ja, Rusia kishte refuzuar atë. Ne i humbëm 11 vjet!”.

Ish-presidenti serb Tadiq, sot i është përgjigjur ambasadorit Ischinger në rrjetin Twitter.

“I nderuar Wolfgang, kurrë nuk e kam pranuar asnjë marrëveshje me Thaçin. Ne madje nuk kemi pasur asnjë takim dypalësh. Kam qenë i gatshëm që të dëgjoja çfarëdo propozimi racional për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme që do të mbronte dinjitetin e të dyja palëve. Fatkeqësisht, kurrë nuk dëgjova diçka të tillë”, ka shkruar Tadiq në Twitter.

Replikës së Tadiqit iu përgjigj ambasadori Ischinger.

“A po flasim për të njëjtën gjë? Me sa kujtoj, draft marrëveshja ime e tetorit 2007, e bazuar në modelin e traktatit gjermano-gjerman, do të mund të ishte pranuar nëse kryeministri juaj asokohe nuk do ta këshillonte Moskën që të thoshte “jo” – gjë që Moska edhe e bëri. 11 vjet të humbura!”.

Tadiq sërish reagoi duke thënë se ai gjithnjë kishte marrë në konsideratë propozimet e ambasadorit Ischinger, por se, sipas tij, ai asnjëherë nuk kishte thënë se po e pranonte atë propozim.

“Mediat në Serbia e transmetojnë mesazhin tuaj sikur unë ta kisha pranuar ndonjë marrëveshje të kryer me Thaçin, që gjë thjesht nuk është e vërtetë”, ish-presidenti serb Tadiq ka shkruar në rrjetin social Twitter.