Njëri prej derbive më të zjarrtë të këtij edicionin padyshim luhet nesër ku ndeshën Llapi e Drita.
Llapi i prinë tabelës dhe me një fitore eventuale pothuaj do ta eliminonte Dritën nga lufta për titull, ngjashëm siç mund të thuhet për Dritën. Pra cilado skuadër që fiton nesër do të jetë në luftë të drejpërdrejt me Ballkanin.
Në taborin gjilanas janë të sigurt se në stadiumin “Zahir Pajaziti” do të jenë ata që do të festojnë.
“E dimë që nesër na pret një ndeshje e vështirë ku kemi përballë liderin e Superligës FC Llapin. Unë gjithmonë kam potencuar se ata kanë mjaft kualitet brenda grupit, FC Llapi ka edhe mbështetjen e tifozëve atje dhe jam i bindur se do të jetë një stadium i stërmbushur. Mirëpo, ajo që më intereson mua është FC DRITA, ekipi im, futbollistët e mi. Kemi eksperiencë të mjaftueshme brenda grupit, që të përballemi edhe me numër të madh të shikuesve e tifozerive dhe skuadrave të ndryshme. Besoj se si ndodh në shumë derbi një moment mund ta vendos ndeshjen dhe shpresoj qe ai moment të jetë në anën tonë dhe normal objektivi jonë kryesorë do të jetë fitorja”, ka thënë trajneri i Dritës Zekirija Ramadani.
I sigurt në sukses është edhe Almir Ajzeraj që beson se ndaj Llapit do të shënojnë fitore ani pse do të jetë një ndeshje shumë e vështirë.
“Si çdo ndeshje e kemi analizuar deri në detajin më të vogël kundërshtarin dhe normalisht shkojmë për fitore dhe me u rikthy aty edhe ku e kemi vendin. Besoj që edhe nesër do jetë një ndeshje e vështirë, por jo e pa arritur dhe bashkë do ta arrijmë tre pikëshin”, theksoi Ajzeraj.
Ndeshja Llapi – Drita zhvillohet nesër nga ora 15:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.







