Sylejman Selimi mohon raportimet: Nuk jam intervistuar nga EULEX-i

Ish-komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi, ka thyer heshtjen pas raportimeve të sotme nëpër media se kinse ai është intervistuar nga EULEX-i.

I kontaktuar nga Paparaci, Selimi ka mohuar se është marrë në pyetje nga misioni i EULEX-it në Kosovë. Kësisoj, ai i quajti të pavërteta shkrimet nëpër media mbi këtë temë.

“Shkrimet në media se jam intervistuar nga EULEX-i nuk janë të vërteta”, tha ai të mërkurën.

Ndër të tjera, ish-komandanti i UÇK-së në Zonën Operative të Drenicës tregoi se sot gjata tërë ditës ka qenë i shoqëruar nga miqtë e tij.

Madje, ai u shpreh se askush nuk e ka kontaktuar atë që ta intervistojë.

“Sot gjithë ditën kam qenë me miq dhe askush nuk më ka kontaktuar për të më intervistuar”, shtoi Selimi.

Gjithashtu, Paparaci ka dërguar pyetje në adresë të EULEX-it për këtë çështje, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

Përndryshe, përveç pozitave të larta në UÇK, Selimi kishte qenë edhe komandant i Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, përgjatë viteve 2006-2011