Sylë Tahirsylaj tregon se a do të bie nesër borë në Kosovë

Eksperti i meterologjisë, njëherish edhe profesor në Universitetin e Prishtinës, Sylë Tahirsylaj ka folur për temperaturat që do të mbizotërojnë në vendin tonë gjatë ditëve të javës.

Në një prononcim për Ballkani.info, Tahirsylaj ka thënë se ditën e nesërme pritet të ketë reshje atmosferike të shiut dhe të borës.

Reshjet e borës, sipas Tahirsylajt do të jenë të pranishme më shumë në viset malore.

“Vendi ynë do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e ulët të shtypjes atmosferike dhe si rrjedhojë moti do të jetë me reshje shiu dhe reshje bore në vendet kodrinore-malore. Gjatë ditës së nesërme, temperaturat do të ulen dukshëm ku minimalja do të shkojë deri në -3 gradë celcius ndërsa maksimalja deri në 5 gradë celcius”, ka thënë Tahirsylaj për Ballkani.info.

Tutje, Tahirsylaj ka thënë se kjo gjendje atmosferike përafërsisht do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

“Reshje shiu nuk do të ketë ditën e mërkurë, kurse shiu do të kthehet në ditën e enjte përsëri. Ja vlen të theksohet se këto reshje do të kenë rëndësi të veçantë për plotësimin e kushteve hibrike të tokës dhe efekti i tyre pozitiv është edhe për përgatitjen e mbjelljeve pranverore, pasi që në vendin tonë nuk kemi pasur të reshura intensive të shiut në tri javët e fundit”, ka thënë ai.

Tahirsylaj ka thënë se në ditët në vijim do të ketë edhe erë nga ana e veriut dhe verilindjes me shpejtësi 1-8 m/s.

Sipas tij, vendi ynë do të përballet me reshje atmosferike edhe javën e ardhshme. /Ballkani.info