Syla: Kurti ka plotësuar aplikacion për veteran të UÇK-së, është në arkiv

Ish-Drejtori i Zyrës për çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, Gazmend Syla, ka thënë se në zyrën e kryeministrit ka ekzistuar një aplikacion i mbushur i veteranit i kryeministrit aktual, Albin Kurtit.

Syla ka thënë se nuk e di se kush e ka plotësuar, porse një aplikacion i tillë ka ekzistuar.

“S’e mbaj mend kur kryeministri Albin Kurti e ka mbush aplikacionin, për shkak se unë kam qenë këshilltar i kryeministrit në atë drejtori pas përfundimit të procesit. Po që ka ekzistu një aplikacion i tillë në arkivën e UÇK’së, në Zyrën e Kryeministrit, po është e vërtetë. Por se kush e ka plotësu, nuk e di, por ka ekzistu një aplikacion i tillë”, ka thënë Syla në ATV.

Ai ka folur edhe për protestën e nesërme. Ka thënë se kërkesa e tyre e vetme është të përfshihen në Ligjin për Pagën minimale.

“Për nesër jemi të mobilizuar për protesta. Kërkesa jonë është me u përfshi në pagën minimale, ashtu siç u takon gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kaq, shumë e thjeshtë”, ka deklaruar Syla.

I pyetur se a pritet të ketë eskalim të protestës, ai e ka mohuar.

“Jo, personalisht s’marr pjesë në një protestë që eskalon kundër Policisë”, ka thënë Syla.