Syla i OVL-UÇK-së: Qeveria do të lodhet nga protestat e kundërshtimet tona

Shoqëria civile së bashku me Organizatën e Veteranëve të Luftës dhe disa parti politike do të protestojnë sot para ndërtesës së Qeverisë nga ora 18:00, për shkak të mospërfshirjes në Ligjin e pagës minimale, që u votua dy ditë më parë nga Qeveria e Kosovës.

Kryetari i OVL-UÇK-së për degën e Pejës, Gazmend Syla, tha se pas organizimit të sotëm, qeveria në pushtet do të lodhet nga protestat e kundërshtimet e tyre, shkruan teve1.info.

“Ky është vetëm kundërshtimi i parë. Qeveria do të lodhet me protestat e kundërshtimet tona që do t’i bëjmë. Ka ide që edhe Organizata e Veteranëve e Invalidëve të Luftës do ta bëjë një protestë tjetër, për shkak se kjo Qeveri nuk i subvencionon për ndërrimin e protezave të tyre”, deklaroi Syla në emisionin “Infonata”.

Ndërkaq, i pyetur se a kanë pasur koordinim me partitë politike për këtë organizim të protestës, Syla tregoi se ka pasur vullnet e gatishmëri nga ana e tyre.

“Kemi provuar t’i ikim koordinimit me partitë politike për mos ta politizuar protestën. Por, kemi parë vullnet dhe kanë shprehur gatishmërinë për tu bashkëngjitur në protestë. Prandaj presim një numër të konsiderueshëm nesër në shesh”, shtoi tutje Syla në Tëvë1.

Kujtojmë se ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku, ka paralajmëruar se do t’i bllokojnë deputetët që të hyjnë në sallën e kuvendit, kurdo që të ketë seancë.