Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në shtatë vjetorin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ka kërkuar drejtësi.
“Sot bëhen 7 vite pa shokun e bashkëaktivistin tonë Astrit Dehari. Mungesa e tij në mesin tonë është e madhe, teksa zvarritja e zbardhjes së vrasjes së tij rëndon dhimbjen tonë të përbashkët. Drejtësi për Astritin”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas kreut të MPB-së, drejtësia dhe llogaridhënia për vrasjen e tij “janë të pashmangshme”.
Sveçla ka theksuar se Astriti ishte aktivist i shquar i dijes dhe i punës, derisa ka potencuar se “na mungon çdo ditë e më shumë”.
“Idealet e tij janë dhe do të jenë gjithmonë udhërrëfyesi në angazhimet tona të përditshme”, shtoi Sveçla.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016.







