Sveçla shpreh ngushëllime për vrasjen e ministrit të Punëve të Brendshme të Ukrainës

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla përmes një postimi në Facebook ka reaguar rreth tragjedisë së ndodhur afër Kievit në Ukrainë, ku mbeti i vrarë Ministri i Brendshëm i Ukrainës Denys Monastyrsky, Zëvendësi i tij i parë Yevheniy Yenin.

“Jemi tronditur nga tragjedia e ndodhur afër Kievit me ç’rast ka humbur jetën Ministri i Brendshëm i Ukrainës Denys Monastyrsky, Zëvendësi i tij i parë Yevheniy Yenin, zyrtarë të Ministrisë e fëmijë që ndodheshin në institucionin ku ndodhi tragjedia’, ka shkruar ministri Sveçla, duke shtuar se zëvendësministrin Yenin e ka takuar në darkën e ministerialit që është mbajtur para disa muajsh në Pragë.

“Përgjatë bisedës me të kam kuptuar se Ukraina e sulmuar padrejtësisht e pa arsye nga Rusia, ka triumfuar deri më tash falë profesionalizmit, përkushtimit dhe atdhedashurisë për vendin si të z. Yenin dhe bashkëpunëtorëve të tij”, ka shkruar ai.

“Ndajmë dhimbjen në këtë humbje të madhe me familjarët e të vdekurve dhe gjithë popullin ukrainas ndërsa të lënduarve ju urojmë shërim sa më të shpejtë. Ndonëse tragjedi dhe humbje të tilla rëndojnë mbi Ukrainën, ajo do të dalë fitimtare përballë Rusisë agresore”, përfundon ministri Sveçla.