Sveçla, qytetarëve: Është rritur propaganda serbe – kujdes mos bini preh e dezinformimit

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se së fundit është shtuar e zgjeruar në lloje e metoda propaganda dhe dezinformacioni nga përkrahësit dhe të punësuarit e Serbisë.

Sipas Sveçles, qëllimi i tyre është për të krijuar shqetësim e shtuar pasigurinë tek opinion publik.

“Për çdo orë po shpërndahen kinse informata duke asociuar ndodhi nga e kaluara e largët dhe e dhimbshme. Por të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare, siguria e të gjithëve, pa asnjë dallim, është mision, detyrë dhe mandat i yni kushtetues e ligjor që do ta zbatojmë me përpikmëri e vendosmëri”.

Ministri theksoi se Policia e Kosovës është e përkushtuar dhe e gatshme që të ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë Republikës së Kosovës në koordinim të ngushtë me partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë.

“Bashkëpunimi i ngushtë mes nesh, komunikimi i ndërsjellë dhe fryma e mirëkuptimit lehtësojnë zbatimin e misionit tonë. Ligjshmëria, respektimi dhe zbatimi i vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë rruga e duhur dhe e vetme në mbrojtjen e frymës dhe vet institucioneve, sundimin e rendit e të ligjit dhe garantimin e sigurisë publike”, tha ai.

Sveçla ka kërkuar tek të gjithë për bashkëpunim me përfaqësuesit e shtetit, zyrtarët policorë, solidarizim ndërshoqëror dhe ndërveprim me të gjitha institucionet e vendit t të cilët thotë se po  kujdesen për zbatim të vendimeve të drejta.

“Ne kemi qenë gjithnjë në rrugën e drejtë si popull e shoqëri. As u kemi shkaktuar të tjerëve padrejtësi as i kemi mbështetur ato kur u kanë ngjarë popujve të tjerë. Njëjtë jemi dhe sot”.

“Të gjithë bashkë për vendin tonë, për demokracinë e ligjin tone”, shkroi Sveçla.