Sveçla paralajmëron “lajme të mira” për qytetarët e Luginës së Preshevës pasi lëshoi lejeqëndrimet 5-vjeçare për ata të Shqipërisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sot ka shpërndarë lejeqëndrimet e para me afat 5 vjeçar për shtetasit e Republikës së Shqipërisë.

Por ministri Sveçla nuk do të ndalet me kaq. Një lajm i mirë si ky, do të vije së shpejti edhe për qytetarët e Luginës së Preshevës.

Kështu ka bërë me dije Sveçla derisa u pyet nga një qytetar, në njoftimin e lehtësimit së procedurave të pajisjes me lejeqëndrim për shtetasit e Shqipërisë.

“Shpejt do të kemi lajm të mirë edhe për këtë kërkesë tënden“, iu përgjigj ministri një qytetari që kërkoi një gjë të tillë edhe për qytetarët e Luginës së Preshevës.

“Sot kam dhënë lejeqëndrimet e para pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë për lehtësim të procedurave të pajisjes me lejeqëndrim.

Tani e tutje, qytetarët e dy vendeve tona për të fituar lejeqëndrimin duhet të paraqesin një dokument identifikimi, të deklarojnë adresën e banimit dhe afati i lejeqëndrimit do të jetë për 5 vite. Sot kam zvogëluar poashtu edhe tarifën për pajisje me lejeqëndrim për shtetasit e Shqipërisë nga 50 euro në 5 euro.

Do të vazhdojmë angazhimin tonë me intensitet të shtuar për të eliminuar barrierat për qytetarët që duan të jetojnë, punojnë e studiojnë në Kosovë“, ka shkruar ndër të tjera ministri Sveçla.