Sveçla nuk tregon nëse do të ketë afat shtesë për zëvendësim të targave

Kanë mbetur edhe më pak se dy javë deri kur skadon afati për zëvendësimin e targave të automjeteve në RKS. Por ministri Xhelal Sveçla nuk është përgjigjur sot nëse institucionet e Kosovës do të japin një afat shtesë për serbët e Kosovës për zëvendësimin e targave.

Kanë mbetur edhe dy javë deri në përfundimin e afatit për konvertimin e targave nga ato ilegale në RKS.

Nga 1 shtatori, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kësaj thirrje i janë përgjigjur vetëm 12 qytetarë.

Për shkak të numrit të vogël të ndërrimit të targave, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier dhe shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës shtyrje të afatit, në mënyrë që serbët të kenë më shumë kohë për zbatimin e këtij vendimi.

Për këtë kërkesë nuk ka pranuar të flasë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla.“Jo, jo, jam për drogat sot “, tha Sveçla.

Kohë të mjaftueshme për konvertimin e targave serbët kanë pasur me vite, vlerësojnë analistët në vend.

“Është koha e fundit që kjo marrëveshje të zbatohet dhe të hiqet nga tavolina e diskutimeve sepse është çështje teknike për të cilën Kosova e Serbia janë pajtuar në Bruksel para shumë vitesh, e për të cilën ka pasur po ashtu disa afate kohore që i janë dhënë serbëve si mundësi për të regjistruar tabelat në tabela të Republikës së Kosovës”, tha analisti , Gazmir Raci.

Kurse analisti, Artan Muhaxheri tha për RTK se kryesore është që Qeveria të ketë sukses në këtë proces.

“Pra nëse ajo mund tua imponojë serbëve të Kosovës që ta bëjnë konvertimin, atëherë çdo gjë do të jetë në rregull, por duke e ditur edhe nga e kaluara, pra përvojat negative kjo gjë do të marrë shumë kohë, shumë presione dhe është mirë që merret në konsideratë edhe shtyrja afatshkurtër e këtij procesi”, tha Muhaxheri.

Qytetarët e Kosovës të cilët ngasin vetura me targa ilegale kanë afat deri më 31 tetor që ato t’i konvertojnë në targa RKS, afat pas të cilit është thënë se veturat me tabela të tilla do të konfiskohen.