Sveçla: Një shërbim aleat inicioi aksionin e sotëm kundër kontrabandës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se është një shërbim aleat që ka iniciuar operacionin e sotëm kundër kontrabandës.

Sveçla në një konferencë për media tha se ky aksion nuk ka qenë kundër asnjë nacionaliteti, sepse siç theksoi ai, shumica e të arrestuarve janë shqiptar.

“Ky operacion nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti, por kundër kriminelëve që kanë kontrabanduar mallra. Prokurori i rastit është serb, gjykatësi i procedurës paraprake është serb, pjesëtarët e reagimit të shpejtë janë shumica serbë. Shumica e të arrestuarve janë shqiptarë. Shumica e të kërkuarve janë shqiptarë. Është një shërbim aleat i cili e ka inicuar këtë akt, në të njëjtën kohë jemi koordinuar me bashkëpunëtorët tonë ndërkombëtar. Pra nuk bëhet fjalë për asnjë aktiviteti kundër komunitetit serb”, ka thënë Sveçla.

Tutje u shpreh se pronari i barnatores ku ka pasur kontrabandë të niveleve të larta, ku hetuesit doganorë dhe policë janë sulmuar, është shqiptar dhe është në kërkim.

Disa policë kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi kanë marrë lëndime nga shpërthimet e granatave që janë hedhur gjatë aksionit të ndërmarrë nga policia kundër kontrabandës në veri te Kosovës.

Cak i kontrollimit nga Policia, kanë qenë disa depo të barnave dhe barnatore në veri të vendit të cilat udhëhiqen nga njerëzit e fuqishëm të kontrabandës në veri.