Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është takuar me përfaqësues të ndryshëm nga Drejtoria e Përgjithshme për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme por edhe me përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, në kuadër të Komisionit Evropian.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Sveçla, ka treguar se gjatë këtyre takimeve ata kanë biseduar për arritjet konkrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në fushën e luftimit të krimit, korrupsionit dhe terrorizmit, shkruan lajmi.net.
“Në kuadër të vizitës sime në Bruksel pata nderin të takohem me përfaqësues të ndryshëm nga DG HOME dhe DG NEAR në kuadër të Komisionit Evropian.
Gjatë këtyre takimeve biseduam për arritjet konkrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme në fushën e luftimit të krimit, korrupsionit dhe terrorizmit dhe nevojën e bashkëpunimit të ngushtë për siguri dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë”, ka thënë ministri.
Tutje, ai ka treguar se ka ritheksuar nevojën urgjente që qytetarëve të Kosovës të iu mundësohet liberalizimi i vizave dhe që Kosova të trajtohet si e barabartë me vendet e tjera të rajonit.
“Me këtë rast ritheksova nevojën urgjente që qytetarëve të Kosovës të iu mundësohet liberalizimi i vizave dhe Kosova të trajtohet e barabartë me vendet tjera të rajonit. Z.Johannes Luchner nga DG HOME, rikonfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe KE mbështet plotësisht liberalizimin e vizave për Kosovën. Gjithashtu diskutuam dhe për projekte konkrete për mbështetje të MPB-së, Policisë së Kosovës në luftimin e krimit ndërkufitar”, ka përfunduar Sveçla.







