Sveçla në Veri, i viziton policët që u ballafaquan me sulme para një jave, ua jep një porosi

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sot ka vizituar pikën kufitare në Bërnjak dhe stacionin e policisë kufitare. Ai është takuar me disa zyrtarë policorë të cilët tha se u ballafaquan me sulmet e shumta nga strukturat ilegale serbe mbrëmjen e 31 korrikut, si dhe zyrtarë tjerë policorë.

“Sic kemi njoftuar, zyrtarët e kësaj pike kufitare janë sulmuar përsëri dje derisa po patrullonin në liqenin e Ujmanit”, shkroi Sveçla në Facebook, duke publikuar disa fotografi.

Më tej, Sveçla dha disa të dhëna për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në atë pjesë të vendit, dhe tha se pa “vendosmëri dhe entuziazëm” te policët. Ai tregoi se i ka porositur policët për “shtrirjen e plotë të rendit dhe ligjit edhe në atë zonë”, raporton Express.

“Që nga viti i kaluar deri më tash në veri të vendit kanë ndodhur 14 sulme, 10 prej të cilave kanë qenë ndaj zyrtarëve policor. Përkundër të gjitha sfidave me të cilat po ballafaqohemi tek të gjithë zyrtarët policor pashë një vendosmëri dhe entuziazëm që në plotni të përmbushin detyrat dhe obligimet e tyre zyrtare. Me këtë rast, i falënderova ata për zellin e treguar deri tani dhe i inkurajova që së bashku të punojmë drejt shtrirjes së plotë të rendit dhe ligjit edhe në atë zonë”, shkroi Sveçla.

“Ministria e Punëve të Brendshme dhe gjithë Qeveria e Kosovës do të jenë me qytetarët dhe me institucionet e vendit me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mirëqenies të secilit veç e veç dhe të gjithëve së bashku”, shtoi ai.