Sveçla kundër gjendjes së jashtëzakonshme, ka propozim tjetër

Radhës së zyrtarëve të Vetëvendosjes që kanë dalë kundër propozimit për gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, i është bashkuar edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sveçla ka thënë se para se të shpallej kjo gjendje, do të duhej të vlerësohej së pari se a janë shfrytëzuar të gjitha kapacitetet aktuale në kuadër të situatës politike.

Sipas tij, do të duhej që të mobilizohen institucionet civile, ku do të përfshihej edhe kthimi i orarit 12 orësh për Policinë e Kosovës.

Zv.ministri ka thënë se tani për tani, emergjenca shëndetësore është e mjaftueshme.

Postimi i plotë:

Para se të shpallej gjendje e jashtëzakonshme do të duhej të vlersohej se sa janë shfrytëzuar kapacitetet aktuale në kuadër të situatës aktuale, gjendjes së emergjences shëndetësore.
Se pari ende nuk jane mobilizuar kapacitet maksimale të institucioneve civile, si kthimi i orarit 12 orësh për policinë e Kosovës, praktikë më se e zakonshme në rastet më se të zakonshme si zgjedhjet apo datat specifike. Ky hap do të dyfishonte pjesëmarrjen e policisë në aktivitete. Edhe ashtu nuk ka ndonjë shqetësim serioz për mungesë sigurie, para së gjthash falë sjelljes së përgjegjshme të qytetarëve tanë.
Poashtu edhe i gjithë personeli shëndetsor me të drejtë nuk është mobilizuar deri në maksimum, gjë që tregon për potenciale shtesë në rast të nevojës. Poashtu, për sa i takon furnizimin me artikujt e nevojshëm, nuk ka vështirësi të theksuara.
Marr parasysh këto dhe shumë argumente të tjerë në këtë moment dhe në kësi lloj situate, nuk ka nevojë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme. Ka nevojë për hapa që qartësojnë shoqërinë e qytetarët e jo që shkaktojnë konfuzion e pasiguri.
Tani për tani emergjenca shëndetësore është e mjaftueshme.