Sveçla: Kryetarët e rinj të komunave në veri do të shkojnë në vendet e punës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se do t’u përgjigjen të gjitha kërcënimeve që vijnë nga Serbia dhe grupet kriminale të Millan Rodojiçiqit pas zgjedhjeve të së dielës në komunat veriore. Në transmetuesin publik, Sveçla tha se kryetarët e rinj do të shkojnë në punë dhe nuk do të mund t’i pengojë askush.

“Prej momentit që rezultatet certifikohen ata janë kryetarë legjitim komunash dhe patjetër do të shkojnë në vendin e tyre të punës, patjetër do të udhëheqin me ato komuna dhe patjetër do të kenë sukseset por edhe dështimet, sikurse i ka secila udhëheqje komunale gjithandej Kosovës dhe nuk e di pse kjo është e diskutueshme”, ka theksuar Sveçla.

I pyetur nëse kryetarët shqiptarë, të zgjedhur të dielën, për të udhëhequr me komunat veriore që janë të banuara me shumicë serbe, do ta kenë asistencën e policisë për të shkuar në vendin e tyre të punës, ministri ka thënë se policia gjithmonë ka asistuar kudo që ka pasur telashe, madje edhe në rastet me probleme të vogla.

“Absolutisht, forcat e sigurisë janë aty për të siguruar secilin qytetar e posaçërisht institucionet e Republikës së Kosovës. Çfarë ka aty të jashtëzakonshme. Sa herë që kryetarët e komunave kanë pasur problem policia e Kosovës ka qenë në dispozicion të tyre. Edhe për probleme shumë të vogla, edhe për tezga në rrugë policia e Kosovës është kujdes që institucionet komunale të kenë mbështetjen e saj, e mos të flasim për kryetarët e komunave apo drejtorët komunal”, ka nënvizuar ministri i Punëve të Brendshme.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës më shumë se kurrë dhe më mirë se kurrë është duke e bërë punën e saj në veri. “…andaj edhe kemi mungesë të incidenteve të mëhershme dhe kemi ndjenjë të rritur të sigurisë atje, por edhe kemi rezultate”, ka shtuar Sveçla.

Ai ka thënë se tani rezistenca në veri ka kaluar nga ajo qytetare në rezistencë kriminale. “Jemi dëshmitarë se si qytetarët tanë të etnisë serbe kanë refuzuar në masë të madhe të dalin në barrikada. Më herët kanë qenë gra, burra e fëmijë në barrikada, derisa në barrikadat e fundit ka pasur vetëm struktura të paguara. D.m.th. kemi kaluar prej rezistencës qytetare në rezistencë kriminale”, është shprehur Sveçla.