Sveçla: Janë identifikuar sulmuesit e gazetarit Valon Syla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë identifikuar sulmuesit ndaj gazetarit Valon Syla të martën mbrëma, teksa ka thënë se shumë shpejt kryesit e këtij akti do të vendosen para drejtësisë.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se sulmi ndaj çdo personi është vepër e rëndë, e edhe më i papranueshëm bëhet kur i drejtohet një gazetari.

“Sulmi ndaj kujtdo është vepër e rëndë ndërsa bëhet më i papranueshëm kur i drejtohet një gazetari, puna dhe liria e shprehjes të së cilit janë të garantuara me legjislacionin tonë dhe jo vetëm. Si qytetar dhe si Ministër i Punëve të Brendshme natyrisht jam shqetësuar me sulmin e mbrëmshëm ndaj gazetarit Valon Syla. Si shoqëri dhe si pjesë e institucioneve angazhohemi për një shtet ku mbizotëron demokracia e ku mendimi ndryshe nuk ballafaqohet me sulm të çfarëdo lloj forme. Pas hetimeve intensive të Policisë së Kosovës tashmë janë identifikuar sulmuesit e gazetarit Syla dhe shumë shpejtë kryesit e këtij akti do të sillen para drejtësisë”, ka shkruar ai.

Gazetari Valon Syla është sulmuar fizikisht të martën në mbrëmje nga tre persona në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

Syla ka pësuar lëndime në kokë ndërsa ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Për këtë sulm ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili e ka quajtur këtë sulm krejtësisht të papranueshëm dhe përpjekje serioze për të penguar dhe minuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medies në Kosovë.

Me reagimin e AGK-së është pajtuar edhe shefi I Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

“I bashkohem AGK-së dhe partnerëve të tjerë në Kosovë lidhur me dënimin e sulmit të mbrëmshëm ndaj Valon Sylës. Liria e fjalës është vlerë thelbësore e Bashkimit Evropian dhe duhet të mbrohet. Sylës i uroj shërim të shpejtë. Sulmuesit duhet të identifikohen dhe të ndiqen penalisht”, ka shkruar ai në Twitter.