Sveçla i reagon presidentit Thaçi: S’mund të jesh mbi Kushtetutë dhe ligj

Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla sapo ka reaguar në Facebook ndaj presidentit Hashim Thaçi.

“Thirrja e presidentit për mosdëgjueshmëri është shqetësuese. Zyrtarët që bëjnë thirrje për mos-zbatimin e vendimeve qeveritare, ligji i dënon. Vendimi i qeverisë për masa dhe kufizim të lëvizjeve bazohet tek Neni 55 i Kushtetutës, paragrafi 1, dhe tek Ligji nr.02/L-109 për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse”, shkruan ai.

Pjesa tjetër e postimit:

Prandaj, presidenti nuk mund ta vendosë veten mbi Kushtetutën dhe mbi ligjin.

Qytetarët duhet të bashkëpunojnë dhe së bashku t’i zbatojmë masat, që ta fitojmë luftën kundër coronavirusit.

E ligji nr. 04/L-076 për policinë e sqaron se zyrtari policor është i autorizuar që përkohësisht t’ia kufizojë lirinë e lëvizjes personit në një zonë të caktuar ose ta orientojë lëvizjen e tij në një zonë tjetër, me qëllim që të sigurohet zona e caktuar për t’i arritur objektivat legjitime të policisë apo për t’i mbrojtur personat nga rreziku i përkohshëm. NJË PREJ OBJEKTIVAVE LEGJITIME TË PËRCAKTUARA SHPREHIMISHT NË LIGJ ËSHTË MBROJTJA E PERSONAVE NGA EPIDEMITË.

Si ushtrues detyre i Ministrit të Punëve të Brendshme, bashkë me të gjithë policët e Kosovës, do të garantojmë që në Republikën e Kosovës askush të mos jetë përmbi ligjin dhe kushtetutën.

I ftoj partitë politike dhe mediat, por edhe zyrtarët e lartë shtetërorë që, në kushtet e emergjencës të heqin dorë nga nxitjet kundër qeverisë e nga polarizimi i shoqërisë, sepse kjo nuk ndihmon. Coronavirusi është armiku i të gjithëve, mjaft ia drejtuam shpatat njëri-tjetrit.