Sveçla “i bindur” në suksesin e zgjedhjeve në veri

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se është i bindur që zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës do të përfundojnë të suksesshme.

Në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, më 23 prill do të mbahen zgjedhjet për kryetar të komunës, ndërkaq zgjedhje për kuvende komunale do të zhvillohen në Leposaviq dhe Zveçan.

Gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për integrim evropian, Sveçla tha se Policia e Kosovës dhe e gjithë Ministria e Brendshme janë në dispozicionin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të organizuar votimet.

“Për ne është imperativ që këto zgjedhje të mbahen në një atmosferë të qetë, të sigurt, qoftë për organizatorët, por edhe për vetë qytetarët atje. Janë çështje të vendimeve politike të subjekteve të caktuara të cilat duan apo nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje. Por, me rëndësi është që institucionet e Kosovës janë duke vijuar me organizimin e procesit zgjedhor, ashtu siç është më së miri. Jam i bindur që i gjithë ky proces do të përfundojë i qetë, i suksesshëm duke tejkaluar edhe problemet të cilat i përmenda”, tha Sveçla.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, nuk ka aplikuar që të marrë pjesë në këto zgjedhje. Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb.

Duke folur për gjendjen e sigurisë në veriun e banuar me shumicë serbe, Sveçla tha se gjendja atje asnjëherë nuk ka qenë e mirë, por shtoi se tani “çështja e sigurisë në veri kurrë nuk ka qenë më e mirë, institucionet e sigurisë kurrë nuk ka bërë punë më të mirë”.

Ai tha se në veri ka prezencë të strukturave të sigurisë “si kurrë më parë”, teksa njoftoi se Policia e Kosovës është duke zhvilluar një aksion atje.

“Aktualisht, Policia e Kosovës është duke zhvilluar një aksion kundër keqpërdorimeve të energjisë elektrike, duke kultivuar kriptovalutat. Mund të them se është suksesi i radhës”, tha Sveçla.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet që më 14 prill të miratojë listën me qendrat e votimit. Deri më tani është votuar në shkolla, por këtë herë shanset për këtë janë pothuajse joekzistente sepse ato kontrollohen nga sistemi serb në veri, i cili i kundërshton zgjedhjet. Qendrat alternative si dhe stacionet policore po ashtu janë përmendur si vende të mundshme që mund të shndërrohen në qendra të votimit.

Zgjedhjet po mbahen pasi kryetarët e komunave në veri, bashkë me serbë të tjerë, në nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe. Zgjedhjet fillimisht ishin paraparë të mbaheshin dhjetorin e kaluar, por u anuluan për shkak se grupe qytetarësh atje, shkaktuan incidente gjatë fazës së përgatitjeve.