Suspendohet polici që e krahasoi Drenicën me Kopshtin Zoologjik

Zyrtari policor, Besnik Demiri, është suspenduar nga detyra, për shkak të fyerjes që ia ka bërë rajonit të Drenicës, duke e quajtur kopsht zoologjik.

Një barcoletë e policit Demiri, të publikuar në një faqe humoristike në rrjetin social Facebook, i ka kushtuar atij me humbje të vendit të punës.

Lajmin për suspendimin e tij, për Insajderin e ka konfirmuar, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

“Ju konfirmoj se lidhur me rastin e potencuar nga ana juaj një zyrtar policor nga rajoni i Prishtinës është suspenduar nga detyra”, ka thënë Hoxha.

Më herët sot u raportua se si zyrtari policor fyu Drenicën, duke thënë se Kosova mund të bëhet me kopsht zoologjik nëse Drenica rrethohet me tela.