Suspendohet një polic, shkak të shtënat me armë zjarri në Jezerc të Ferizajt

Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, ka konfirmuar suspendimin e një zyrtari policor për gjuajtje me armë zjarri në Jezerc të Ferizajt.

Policia e Kosovës njoftoi sot se dy persona janë shoqëruar në polici nën dyshimet për gjuajtje me armë zjarri në drejtim të pyllit në Jezerc të Ferizajt.

Rasti ka ndodhur dje pas orës 17:00, njofton policia.

Njëri nga personat që është shoqëruar në polici është zyrtar policor dhe ndaj tij IPK ka marrë masa.

“Një polic është i dyshuar për gjuajtje me armë, i njëjti është suspenduar dhe po hetohet në procedurë të rregull, sipas autorizimit të Prokurorisë”, tha Hodaj për Express.

Njoftimi i plotë i policisë:

SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM/ Fsh.Jezerc, Ferizaj 23.07.2022-17:15 Ankuesi mashkull kosovar, ka njoftuar se dy meshkuj të panjohur  kishin shtënë me armë zjarrit në drejtim të pyllit dhe më pas janë larguar me vetura. Lidhur me rastin janë shoqëruar dy të dyshuar meshkuj  kosovarë.  Pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.