Surroi sulmon rëndë Thaçin: S’mund të kesh të dyshuarin kryesor për krime kryenegociator në dialog me Serbinë

Publicisti Veton Surroi ka thënë se tash nuk janë kohërat më të mira për të zhvilluar negociata me Serbinë.

Sipas tij, Kosovës i duhet konsensusi shoqëror dhe në fazën e re të dialogut të hyjë më e fuqishme. Ai konsideron se në dialog Serbia po hyn me fuqi të plotë e Kosova jo.

“Kemi një shpërputhje të fuqisë, Serbia hyn me fuqi të plotë. Pasi të mbarojnë zgjedhjet, është e pritshme që Vuçiq të ketë përkrahje mbi 50 për qind të votuesve. Padyshim është forca kryesore në Serbi dhe ka mundësi të vendimmarrjes. Në Kosovë s’kemi fuqi të tillë politike. Do të ishte me mend në proces negociator të krijohet një lloj konsensusi shoqëror. S’shoh shumë hapësirë për këtë, meqenëse kemi dalë prej një konflikti politik dhe formimit të qeverisë ashtu siç u formua. S’janë kohërat më të mira për të zhvilluar negociata dhe këtë duhet marrë si handikap”, ka thënë ai.

Surroi ka thënë se presidenti Hashim Thaçi ka uzurpuar procesin e dialogut. Ai ka thënë se Thaçi nuk ka aftësi për të udhëhequr procesin e dialogut.

Ai ka thënë se Kosova është vetë fajtore që ka pranuar të hyjë në një proces “shkel e shko” të Brukselit. Faj për procesin e pasuksesshëm, Surroi ka thënë se ka edhe bashkësia ndërkombëtare.

“Kur u hap ky proces bashkësia ndërkombëtare krijoi edhe Gjykatën Speciale. Këto s’shkojnë bashkë. S’mund të kesh Thaçin të dyshuarin kryesor për krime dhe kryenegociator në të njëjtën kohë njëkohësisht. A e ka bërë këtë bashkësia ndërkombëtare apo koincidencë nuk e di. Nuk hy në teori konspiracioni, por kjo e ka dëmtuar shumë pozicionin e Kosovës. Është krijuar bindje te njerëzit se ekziston një trysni e madhe që bëhet ndaj të dyshuarit kryesor për krime që është edhe negociator për Kosovën. Ndërlidhja mes këtyre dy çështjeve ka mundur të interpretohet gabimisht apo jo gabimisht për shumë njerëz”, ka thënë tutje Surroi në emisionin Desku në KTV.