Surroi: Rezoluta për dialogun është e paqartë për Mogherinin dhe Hahnin

Rezoluta e kaluar në Kuvendin e Kosovës për bisedimet me Serbinë, sipas publicistit Veton Surroi, nuk është e qartë për përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini dhe komisionarit Hahn.

Kjo, sipas tij, vjen si rrjedhojë e ftesës së Mogherinit drejtuar presidentit Thaçi lidhur me vazhdimin e dialogut në Bruksel.

“Nëse z. Thaci shkon në kundërshtim me Kushtetutën atëherë qartazi kemi një diskrepancë mes rezolutës dhe z. Thaci, znj. Mogherini, etj”, ka thënë Surroi në Rubikon të KTV-së.

Ndonëse, sipas Surroit përveç koordinimit mes presidentit dhe rezolutës, çështja ngrihet te mungesa e dy grupeve më të mëdha opozitare, LDK-së e VV-së.

“Çështja është se ku mbeten LDK e VV të cilat kanë një peshë të vetën politike në Kosovë dhe pa të cilat nuk mund të ketë një zhvillim konsensual. Nuk kemi të bëjmë ende me zgjidhje por një përpjekje për të gjetur zgjidhje mirëpo me sa shoh unë kemi një përpjekje që është ende në gjysmë të rrugës”, ka thënë ai.