Surroi për televizionin serb: S’është normale të ketë taksa 100 për qind

Pjesëmarrësi i negociatave në mes të Beogradit e Prishtinës në Rambuje dhe në Vjenë, Veton Surroi, i ka thënë TV Prva-s së Beogradit se është e domosdoshme që dialogu (midis Kosovës e Serbisë) të rifillojë sa më parë në një formë tjetër, transmeton Koha.net.

Ai i tha këtij televizioni se kjo fazë e dialogut përjetoi një fund të natyrshëm.

Duke folur në lidhje me tarifën ndaj mallrave të prodhuara në Serbi, Surroi ka thënë se ajo është manifestim i anormalitetit, meqë nuk është normale të ketë taksa 100 për qind.

“Kjo tregon se 7 vjet të atyre negociatave kanë qenë një humbje e madhe kohës”, është shprehur Surroi.

Kur bëhet fjalë për ndarjen e Kosovës, ai ka thënë se kjo nuk është zgjidhje.

“Të gjitha zgjidhjet që janë nisur me idenë për ndarje kanë çuar në katastrofën e ish-Jugosllavisë. Nuk ka kurrfarë arsyeje që kjo ndarje të mos jetë katastrofa e radhës”, ka thënë Surroi.