Publicisti Veton Surroi derisa ka komentuar situatën aktuale politike në vend, ka shtuar se qeveria e re duhet të bëhet pa pasur zgjedhje të reja parlamentare.
Surroi thotë se interesi shoqëror në Kosovë ka qenë dhe është luftimi i virusit korona, derisa, me inicim të mosbesimit ndaj Qeverisë, shton se fiton interesi i luftës politike, e jo interesi shoqëror.
Publicisti Surroi ka shkruar në Facebook se në vend duhet të ketë një qeveri të re, pa hyrë në zgjedhje.
“Lufta politike duhet të gjenerojë një Qeveri të re pa hyrë në zgjedhje të reja parlamentare. Kjo do të thotë se duhet të formohet një Qeveri e cila gëzon besimin fillestar të Hashim Thaçit, si president i Republikës i cili duhet ta japë mandatin për formimin e saj”, ka deklaruar ai.
Tutje, shton se në gjashtë muaj e fundit presidenti Hashim Thaçi ka trajtuar dy çështje si parësore në komunikimin e tij me diplomacinë amerikane.
“Ka kërkuar mënyra për ta kundërshtuar veprimin e Gjykatës speciale , në letrat dërguar sekretarit Pompeo. Dhe , paralelisht, ka kërkuar që të arrihet marrëveshja me presidentin serb, e me ndërmjetësim të ambasadorit Grennell, një marrëveshje e cila ka nxitur spekulime konstante për këmbim territoresh , autonomi territoriale serbe në Kosovë dhe eksterritorialitet të Kishës ortodokse serbe. Rrjedhimisht, mandati i Qeverisë së ardhshme do të jepet me parapëlqim për këto dy çështje. Luftimi i krizës më të madhe që ka njohur njerëzimi në shekullin XXI, ajo e COVID19, prej sonte i është nënshtruar një lufte politike e cila pikësynim kulmor ka pezullimin e veprimeve të Gjykatës speciale dhe arritjen e një marrëveshje të shpejtë Thaçi-Vuçiq”, tha Surroi.







